Bota

BE/ Paketë e re sanksionesh ndaj Rusisë, embargo naftës brenda 6 muajve

Gazeta Si – Bashkimi Evropian ka propozuar ndalim të të gjitha importeve të naftës ruse në paketën e gjashtë të sanksioneve që në shënjestër ka agresionin e Rusisë në Ukrainë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i bëri të ditura propozimet në një fjalim në Parlamentin Evropian.

Për çështjen vendimtare të importeve të karburanteve, Von der Leyen tha:

“Ky do të jetë një ndalim i plotë i importit për të gjithë naftën ruse, në det dhe tubacione, të papërpunuar dhe të rafinuar. Ne do të sigurohemi që të heqim dorë nga nafta ruse në një mënyrë të rregullt, në një mënyrë që na lejon ne dhe partnerët tanë të sigurojmë rrugë alternative të furnizimit dhe të minimizojmë ndikimin në tregjet globale. Kjo është arsyeja pse ne do të heqim gradualisht furnizimin me naftë ruse bruto brenda gjashtë muajve dhe produkteve të rafinuara deri në fund të vitit”.

Që të miratohen, sanksionet kërkojnë mbështetje unanime midis 27 vendeve të BE-së, ndërsa Sllovenia tashmë ka treguar se do të kërkojë përjashtim dhe Hungaria sugjeron që sanksionet mbi furnizimet me energji janë një “vijë e kuqe” për ta.

Masat e tjera të propozuara përfshijnë:

-Publikimi i një liste me oficerët e lartë ushtarakë dhe individë të tjerë që akuzohen për kryerjen e krimeve të luftës në Bucha dhe ata që janë përgjegjës për rrethimin e Mariupolit

Ndalimin e tre transmetuesve shtetërorë rusë nga transmetimet e BE-së.

-Dëbimin e SberBank, deri tani banka më të madhe të Rusisë, nga sistemi i pagesave Sëift, së bashku me dy banka të tjera të mëdha.

-Sanksione dhe kundër Kirillit, kreu i Kishës Ortodokse Ruse për qëndrimin e mbajtur gjatë luftës në Ukrainë.

Presidentja e KE, shtoi se Evropa ka një përgjegjësi të veçantë ndaj Ukrainës dhe gjithashtu propozoi një “paketë ambicioze rimëkëmbjeje” për vendin.

Von der Leyen nuk përmendi asnjë përjashtim nga kjo ndalesë, edhe pse Hungaria dhe Sllovakia, dy shtete anëtare të bllokut, janë shumë të varura nga importet e energjisë ruse dhe janë shprehur kundër ndalesës.

Megjithatë, presidentja e Komisionit Europian e pranoi një vendim unanim për sanksionet mbi naftën “nuk do të jetë i lehtë”. Për t’u dhënë vendeve kohë për t’u përgatitur, do të ketë afate kalimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë