Gazeta Si – Një tjetër autobus është aksidentuar në Tiranë mesditën e të hënës në bulevardin “Zogu i Parë”.
Mësohet se urbani i linjës së Tiranës së Re, është përplasur me stacionin ku presin qytetarët te Fakulteti i Shkencave të Natyrës.
Në fotot e siguruara nga Gazetasi.al, duket se xhami i përparmë i autobusit është thyer. Të njëjtin fat ka pësuar edhe xhami i kabinës së stacionit, ku hipin dhe zbresin qytetarët.
Përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar.
Policia informoi se “rreth orës 13:00, në bulevardin ‘Zogu I’, shtetasi D. Sh., duke drejtuar autobusin e linjës së Tiranës së Re, dyshohet se është përplasur me mbulesën e vendqëndrimit të stacionit të autobusit”.
Nuk dihen rrethanat e aksidentit deri tani, duke parë se Tirana ka qenë thuajse e boshatisur për shkak të festës së Fitër Bajramit, me njerëzit që kanë qëndruar në shtëpi apo kanë lëvizur jashtë qytetit.
Tre ditë më parë, një autobus “Go Green”, por i linjës së Unazës në Tiranë pësoi një aksident, duke përfunduar në lumin Lanë.
Mjeti i flotës së licencuar nga Bashkia e Tiranës, u përplas me një makinë, e cila humbi kontrollin dhe devijoi në ujërat e lumit.
Për fat të mirë, asnjë prej pasagjerëve në autobus dhe në mjetin që u përfshi në aksident, nuk pësoi dëmtime të rënda.
Automjeti është dëmtuar plotësisht, por u nxor nga lumi Lana që në mbrëmje, ndërsa autobusi vijon të qëndrojë në skarpatet e Lanës.
Policia rrugore po heton dy pista, atë të një defekti teknik në autobus, ku mendohet se ishin rreth 50 persona dhe të gabimit njerëzor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.