Treg

Vendimi i qeverisë/ Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike do zgjasë deri në 31 dhjetor 2022

Qeveria vendosi të shtyjë deri më 31 dhjetor të këtij viti gjendjen e emergjencës për furnizimin me energji elektrike. Në vendimin e Këshillit të Ministrave të publikuar një ditë më parë thuhet gjithashtu se shfuqizohet pika tre e vendimit të parë të 8 tetorit 2021, sipas të cilës: “Shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., pezullonin planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë”. “Këto shoqëri të koordinojnë ushtrimin e aktivitetit, në përputhje me udhëzimet e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike”, thuhet në vendim.
Në fund të marsit, në një takim të mbajtur nga Komisioni i Energjisë në vend mbi krizën në këtë sektor, u tha se importi i energjisë nga jashtë do të vazhdojë dhe për disa kohë deri sa kushtet atmosferike të përkeqësohen.
Gjendja e emergjencës në Shqipëri u shpall në 8 tetor 2021 nga kryeministri Edi Rama, teksa prezantoi edhe një plan me 3 pika dhe ku ai nënvizoi se nuk do të kishte ndërprerje të energjisë elektrike dhe jo rritje të çmimit. Qeveria po diskuton vendosjen e një fashe prej 700 kWh për qytetarët, të cilët nëse e kalojnë këtë shifër, atëherë do duhet që të paguajnë diferencën me 18 lekë për kilovatin, praktikisht si një biznes i vogël.
Shqipëria gjithashtu ka marrë 2 anije me qira që do të prodhojnë energji elektrike, që të krijojë pavarësi dhe siguri për konsumatorët. Nga ana tjetër, prej javësh, me qëllim kursimin e energjisë, është marrë vendimi që të fiken dritat në akset kryesore të vendit dhe institucionet pas orës 00:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë