Keshilla

Kur fëmijët janë dobët në matematikë… Çfarë duhet të kenë parasysh prindërit shqiptarë

Fotografi ilustruese e një fëmije me diskalkuli.

Diskalkulia është ai çrregullim specifik i të nxënit i cili lidhet me shfaqjen e vështirësive në aftësitë matematikore. Me njohjen dhe përdorimin e simboleve matematikore, kryerjen e veprimeve aritmetike, identifikimin dhe të kuptuarit e shumave numerike. Këto aftësi janë të dëmtuara në rastin e diskalkulisë, që do të thotë se këta fëmijë paraqesin performancë të ulët në matematikë dhe ndeshin shumë pengesa në këtë lëndë gjatë ecurisë së tyre shkollore. Kanë vështirësi në mbajtjen mend të procedurave edhe shumë të thjeshta matematikore dhe kujtesë pune shumë të varfër kur arsyetojnë mbi numrat. E kanë shumë të vështirë të bëjnë përparime në matematikë duke qenë se logjika e tyre matematikore është në nivele bazike fillestare. Edhe kur arrijnë disa përmirësime në kohë të shkurtër, e kanë shumë të vështirë t’i konsolidojnë ato ndryshime dhe të vazhdojnë progresin, por harrojnë atë që kanë mësuar.

Psikologia e fëmijëve, Lorela Garuli thotë për Gazetasi.al se në Shqipëri ky crregullim është më shumë në kuadër të bashkëshoqërimit me një çrregullim tjetër të të nxënit siç është disleksia. “Unë ndjek raste me diskalkuli dhe, edhe pse nuk ka të dhëna të sakta, është një çrregullim i pranishëm në vendin tonë”.

Psikologe Lorela Garuli. Gazeta “Si”, 26 prill, 2022.

Garuli shton se e veçanta e diskalkulisë në raport me çrregullimet e tjera është se diagnostikohet dhe vlerësohet tamam në fund të klasës së tretë.

“Mosha më e përshtatshme për të vendosur diagnozën e diskalkulisë është ajo që përkon me fundin e klasës së tretë fillore. Përveç vlerësimit të aftësive matematikore, është e rëndësishme të ekzaminohen dhe kompetencat vizuale-hapësinore bashkë me kujtesën, pasi të gjitha këto luajnë një rol të rëndësishëm në procesin e të mësuarit matematikor”, thotë Garuli.

Ndërkohë, ekzistojnë evidenca se diskalkulia ka baza gjenetike.

Garuli thotë se diskalkulia është studiuar më pak sesa disleksia, duke qenë se është dhe më pak e përhapur sesa ajo.

Sa i përket simptomave të diskalkulisë, ato që shfaqen fillimisht dhe që janë kryesoret, duke hedhur dritë mbi nevojën e një vlerësimi të mëtejshëm, janë:

-Mungesë njohurish mbi simbolet numerike (-, +, /) dhe vështirësi në mbajtjen mend të tyre.

-Paaftësi në të kuptuarit e koncepteve matematikore dhe në përzgjedhjen e veprimit të duhur për t’u zbatuar.

-Vështirësi të mëdha në kryerjen e llogaritjeve dhe veprimeve matematikore.

-Vështirësi të mëdha në kryerjen e operacioneve të thjeshta aritmetike me mendje.

-Vështirësi të mëdha në kryerjen e veprimeve që përmbajnë numra me presje dhjetore dhe atyre me shumë shifra.

-Vështirësi për t’i emërtuar numrat e veprimet matematikore në mënyrën e duhur.

-Vendosje e gabuar dhe organizim i pasaktë i mënyrës sesi shkruhen numrat në fletën e ushtrimeve.

-Vështirësi për të numëruar mbrapsht.

-Paaftësi në të mësuarit dhe mbajtjen mend të tabelës së shumëzimit.

-Paaftësi për të kuptuar njësitë matëse.

Garuli thotë se është e rëndësishme të mbahet parasysh se diskalkulia nuk lidhet me vështirësitë që shfaqen më vonë në zgjidhjen e problemave dhe ushtrimeve komplekse matematikore, por me të gjitha shprehitë dhe aftësitë bazë, të renditura më sipër.

Siç shkruan edhe në librin e saj “Çrregullimet e të nxënit”, Garuli thotë se një nga elementët përcaktues në planet e ndërhyrjes dhe trajtimit të diskalkulisë, është gjithashtu pjesa e angazhimeve prindërore.

“Duke qenë se në shumicën e rasteve identifikimi i çrregullimeve të të nxënit dhe pikasja e vështirësive bëhet fillimisht nga shkolla; është kjo e fundit e cila përcakton dhe planin e trajtimit dhe strategjitë ndërhyrëse. Pranimi është hapi i parë e më pas marrja përsipër e përgjegjësive dhe detyrave, “duke qenë se ka një rol përcaktues në efikasitetin dhe suksesin e trajtimit”, thotë Garuli.

Detyrat e familjes do të variojnë nga ato me karakter të përgjithshëm, tek ato specifike, me qëllimin primar vendosjen e aleancës edukative dhe mësimore, nxitjen e motivimit dhe angazhimit të fëmijës diskalkulik.

Parimet dhe elementët kryesorë përbërës të trajtimit të diskalkulisë janë:

Teknikat didaktike.

Mësim konkret.

Mësim i strukturuar.

Mësim aktiv dhe përfshirës.

Mësimi si një përvojë pozitive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë