Nga Gazeta Si – Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi se Cirku i ri Kombëtar mund të vendoset në një prej lagjeve të reja të Tiranës që po ndërtohen për të strehuar banorët që humbën banesat nga tërmeti.
Margariti theksoi se ende nuk ka një projekt specifik dhe ende nuk mund të flitet për kohën e ndërtimit të cirkut apo edhe koston.
“Ne jemi në bisedime me Bashkinë e Tiranës për lagje të reja të cilat po rindërtohen post tërmetit, për të alokuar në një prej këtyre dhe këtë hapësirë (cirkun) të munguar”, tha ministrja.
Rreth dy muaj pas heqjes së çadrës së Cirkut Kombëtar, pasi trualli ku ishte ngritur ju rikthye pronarit, u shkarkua drejtori i këtij institucioni, Ilirjan Gjini.
Për ngërçin e krijuar dhe mungesën e një zgjidhjeje konkrete për ta, kryetari i Sindikatës së Artistëve, Julian Kazazi i pyetur më herët nga Gazeta “Si”, do të fajësonte Ministrinë e Kulturës.
Pas heqjes së Çadrës, edhe pse Ministria e Kulturës propozoi një ambient të përkohshëm për stërvitje, (palestrën e shkollës “Sinan Tafaj”), artistët nuk e kanë frekuentuar atë ambient për shkak të mungesës së kushteve, duke e cilësuar si një mashtrim të radhës dhe kanë vijuar stërvitjen në palestrat ekzistuese.
Historia e prishjes së Cirkut Kombëtar, ku përmbaruesit dhe artistët e cirkut përplaseshin mes tyre vijoi prej vitesh. Përplasjet nisën që kur Gjykata Administrative me vendim të formës së prerë i kaloi privatit truallin, ku ndodhej Cirku Kombëtar.
Margariti foli ndër të tjera edhe për krijimin e një ‘poli të ri kulturor’ që përfshin dhe ndërtimin e Bibliotekës së re Kombëtare dhe Qendrën Kulturore Kombëtare për Fëmijë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




