Treg

Yield-et e Bonove të Thesarit drejt stabilizimit

Pas një tendence thuajse dymujore në rritje, të dhënat nga Banka e Shqipërisë na tregojnë se Bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një yield mesatar të ponderuar prej 2.22%, me një rritje më të lehtë nga niveli 2.19% i ankandit të mëparshëm.

Kërcimi më i ndjeshëm në yield-et e Bonove 12-mujore u ndie në ankandin e fundit të muajit mars, i pari pas rritjes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë.

Yield-i mesatar u rrit në 2.19%, nga 1.79% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Ankandi i kësaj jave dha sinjale stabilizimi, por sërish kërkesa e tregut për Bono rezultoi pak më e ulët se shuma e shpallur për shitje nga Ministria e Financave.

Përkundrejt 9.7 miliardë Lekë Bono të nxjerra në shitje, kërkesa totale në ankand arriti në 9.57 miliardë Lekë. Megjithatë, edhe hendeku mes kërkesës dhe ofertës është ngushtuar ndjeshëm në raport me anakandet e mëparshëm.

Për këtë arsye, shumë prej investitorëve dhe sidomos bankat kanë preferuar të ruajnë likuiditete, në pritje të normave më të larta. Një tendencë e tillë u vërejt qartë në ankandet e Bonove dhe Obligacioneve në Lekë, por edhe të Obligacioneve dyvjeçare në Euro.

Rritja e normave të interesit zakonisht reflektohet më shpejt në tregun e letrave të borxhit të qeverisë. Ky mund të jetë një stimul i mëtejshëm që bankat të rrisin investimin në këto instrumente, duke ndërmarrë një qasje më të kujdesshme në kreditimin e sektorit privat, edhe për shkak të rreziqeve më të larta që shtron rritja e inflacionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë