Ngjarje

U gjet i vdekur  nga mbidoza. Shoku e braktisi, pastaj e fshehu trupin në bunker

Gazeta Si - Një i ri është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se ka pasur dijeni për vdekjen e shokut të tij nga mbidoza.

Por jo vetëm kaq, ai e ka braktisur atë dhe pasi është rikthyer në vendnngjarje, nga frika e ka fshehur trupin e tij në një bunker.

Ngjarja ndodhi një ditë më parë në zonën e Institutit Bujqësor në Kamëz, ku Ilir Marku, 36 vjeç u gjet i pajetë në strukturën prej betoni.

Policia arrestoi këtë të enjte 28-vjeçarin Mariglen Isufin, i cili akuzohet nga për veprën penale “fshehje të kufomës”.

Ditën e ngjarjes, bashkë me Ilir Markun kanë qenë në afërsi të bunkerit, në një lëndinë me bar, ndërsa kanë konsumuar lëndë narkotike.

Nga mbidoza, Marku ka humbur ndjenjat. Menjëherë pas ngjarjes, Mariglen Isufi është larguar për në banesë, duke e lënë mikun e tij të vetëm.

Mëngjesin tjetër ka shkuar sërish tek i njëjti vend ku e ka gjetur Ilir Markun të vdekur.

Trupin e pajetë të 36-vjeçarit e ka tërhequr zvarrë për 10 apo 15 metra dhe e ka futur në brendësi të bunkerit, duke e mbuluar me kartonë.

Pas dyshimeve se Marku konsumonte lëndë narkotike, policia intensifikoi kërkimet, ndërsa ra në gjurmët e viktimës.

Pas veprimeve operative u identifikua edhe Mariglen Isufi, i cili pas arrestimit u tha hetuesve se nuk bëri denoncim në polici, pasi kishte pasur frikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë