Ngjarje

Më pak aksidente rrugore në tremujorin e parë

Në tre muajt e parë të këtij viti numri i aksidenteve rrugore ka rezultuar në rënie.

Sipas të dhënave nga INSTAT, në muajin mars numërohen 101 aksidente rrugore nga 119 aksidente të ndodhura në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, duke u ulur me 15.1%.

Në tremujorin e parë të vitit 2022 numërohen 285 aksidente rrugore nga 323 aksidente, të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke u ulur me 11.8%.

Gjatë marsit, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 145 persona nga 150 që ishte në të njëjtën muaj të një viti më parë.

 Në tremujorin e parë të vitit 2022, numri i të aksidentuarve është 392 persona nga 418 persona të aksidentuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore në mars është 14 persona, nga 18 persona të vdekur në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Në tremujorin e parë të vitit 2022, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 46 persona nga 58 persona të vdekur në tremujorin e parë të vitit 2021” thuhet në publikimin e INSTAT.

Shkak kryesor për aksidentet në shumicën e rasteve mbetet sjellja e drejtuesve të mjeteve ndërkohë që sipas INSTAT vihet re një ulje e numrit të aksidenteve që kanë si shkak sjelljen e këmbësorëve.

“Në muajin e tretë aksidentet rrugore, në 93.1% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25 – 34 vjeç, duke zënë 29.7% të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 3.2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në tremujorin e parë të vitit 2022, aksidentet rrugore, në 12.6% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur me 43.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, vlerëson INSTAT.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë