Eksportet kanë shënuar rritje të ndjeshme në tre muajt e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave nga INSTAT, në këtë tremujor eksportet e mallrave arritën vlerën 120 mld lekë, duke u rritur me 49.6 %.
Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +18.5 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +14.4 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me +6.4 pikë përqindje.
Rritjen më të lartë e ka shënuar grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji”, që u zgjerua me 95.4%, në 30 miliardë lekë të ndikuara kryesisht nga rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Ky grup kaloi sërish në të dytin më të madh në vend, me 25% të totalit.

Në rritje të fortë ishin dhe eksportet e “material ndërtimi e metale”, që u zgjeruan me gati 77.4%, në 26.5 miliardë lekë edhe këto të ndikuara nga konjuktuara më e përshtatshme e çmimeve. Ky grup kaloi në të tretin, me 22% të totalit.
Edhe “tekstilet e këpucët”, që deri vitin e kaluar nuk kishin arritur nivelin e para pandemisë po shënojnë një ecuri të mirë në muajt e parë të këtij viti, të ndikuara nga rritja e kërkesës nga partnerët europiane dhe çmimeve më të larta.
Eksportet e këtij grupi u zgjeruan me 19% në 32.4 miliardë lekë.
Eksportet e “ushqime, pije e duhan” u rritën me 19%, të ndikuara nga ecuria e mirë e produkteve të peshkut, duke arritur në 10.4 miliardë lekë.
Deficiti tregtar në rritje
Në këtë tremujor eksportet e mallrave arritën vlerën 120 mld lekë, duke u rritur me 49.6%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 207 mld lekë, duke u rritur me 27.9%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 87 mld lekë, duke u rritur me 6.6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021.
Sipas INSTAT, në muajin Mars 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar,janë: Italia (67.1%), Kosova (25.2%) dhe SHBA (9 herë).

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Greqia (6.0%) dhe Spanja (44.6%).
Në muajin Mars 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Mars 2021 janë: Italia (0.8%), Turqia (53.5%) dhe Greqia (29.5%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: SHBA (9.5%), Kroaci (22.0%) dhe Zvicër (19.0%).
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 59.8%, të gjithë tregtisë. Në Mars 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 71.3% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 53.2 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (30.4%), Turqia (9.0%), Greqia (6.7%) dhe Kina (6.5%).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




