Menaxhim

Çmimi i ujit të pijshëm në Tiranë nuk do të rritet të paktën për 5 vjet

Drejtori i UKT Elton Kacidhja: S’ka aplikim për çmim pa përfunduar investimet

Megjithëse në retorikën e ditëve të fundit të qeverisë hapen shtigje për një rritje të mundshme të çmimit të ujit të pijshëm, të paktën në Tiranë kjo nuk do të ndodh shpejt. Drejtori i Ujësjellësitë të Tiranës Elton Kacidhja në një intervistë për Gazeta “Si”  tha se çmimi i ujit nuk do të rritet të paktën dhe për 5 vitet e ardhshme kur pritet të përfundojnë 2 nga projektet strategjike që do të implementohen në rrjetin e ujësjellësit të kryeqytetit.

“Para vendimit për rritjen e çmimit, UKT ka në plan së pari të përmbushë detyrimin dhe premtimin ndaj qytetarëve për furnizim 24 orë me ujë të pijshëm dhe cilësor”, thotë ai.

Kacidhja thotë se me kredinë e re 80 mln euro që qeveria përmes një marrëveshje me BEI që i ka akorduar bashkisë Tiranë do të zbatohenn dy projekte një për ndërtimin e një burimi të tretë ujor pas Shënmërisë dhe Bovillës, ai i Gurit të Bardhë, dhe e dyta krijimi i linjës unazore që ka për qëllim rritjen e presionit në rrjet dhe uljen e nivelit të humbjeve.

Burimi ujor i Gurit të Bardhë do të merret nga bashkia e Klosit. Linja e furnizimit deri në Tiranë është 23 kilometra dhe do të  rregullojë bilancin ujor të Selitës dhe Shënmërisë për furnizimin me ujë të gjysmës së Tiranës.

Projekti për ndërtimin e linjës unazë të ujit për të rritur presionin parashikon 43 km tubacione, që do kalojnë në të gjithë kryeqytetin dhe do të ndikojë në zvogëlimin e humbjeve.

Masterplani për furnizimin me ujë të kryeqyteti është bërë me ndihmën dhe mbështetur në përvojën e bashkisë së Budapestit.  

Komponenti i tretë i masterplanit është ndarja e kryeqytetit në minizona ku është menduar të jenë 54 zona të vogla.

“E ilustroj me një shembull. Nëse sot kemi defekt në linjën e transmetimit të Shënmërisë, mbetet pa ujë pjesa më e madhe e Tiranës. Me përfundimin e investimit të unazës së presionit dhe ndarjen e minizonave, do të kemi 1 ose 2 zona pa ujë në 54 të tilla, por në rastin e defektit, furnzimi do të kryhet nga bypasset që kalojnë pranë tyre. Pra ky projekt për linjën unazore do të rregullojë presionin e ujit në rrjet duke përllogaritur prurjet në kohë reale në të gjitha zonat dhe do të zgjidhë përfundimisht problemin e humbjeve në rrjet dhe ndotjes së ujit.

Duke iu referuar edhe njëherë debateve cilësinë e ujit të pijshëm drejtori i Ujësjellësit thotë se “çmimi i ujit në Tiranë është ndër më të lirët, dua ta theksoj se cilësia e ujit është debat që bëhet nga shoqëri që tregtojnë produkte të filtrimit të ujit që duan ta nxjerrin ujin e rrjetit të papërdorshëm për shkak të biznesit apo shoqëri që kanë lidhje me laboratorë dhe bëjnë analiza të ujit të marrë jo nga rrjeti por nga depozitat”.

Enti Rregullator i Ujit prezantoi këtë të enjte në Kuvend raportin vjetor për vitin 2021, ku rritja e çmimit të ujit për qytetarët duket e pashmangshme. Faktorët që mund të çojnë në këtë rritje janë disa, por më kryesori është çmimi i energjisë elektrike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë