Shendet

A shkakton peri i gjuhës vonesa gjuhësore? Prindërit shqiptarë janë të bindur se po, shkenca thotë jo

Nga Gazeta Si – Fëmijët që kanë vështirësi për të formuluar fraza të thjeshta ose ka kufizime të lëvizjes së gjuhës, mund vuajnë nga ankiloglosia i njohur në gjuhën e përditshme “peri i gjuhës” . Kjo problematikë është ajo fija e hollë që gjendet poshtë gjuhës sonë dhe në rastin kur kemi të bëjmë me pe të shkurtër, do të hasim te fëmija limit të lëvizjeve që gjuha bën. Mjekët thonë se kjo anomali e lindur, prek më shumë djemtë se vajzat dhe shpesh fëmijët kanë një predispozicion gjenetik për t’u prekur.

Neuropediatrja Migena Kika thotë për Gazetasi.al se prevalenca ndryshon shumë, por raportimet e fundit pohojnë se shkon diku te 4 deri 5% të të porsalindurve.

Neuropediatrja ndalet te frika e shumë prindërve të cilët e lidhin vonesën gjuhësore të fëmijëve me perin e gjuhës. Sipas saj, evidencat shkencore tregojnë se peri i gjuhës ka fare pak ose aspak lidhje me të folurit, apo zhvillimin e gjuhës ekspresive. Teksa përmend disa prej ndikimeve negative që peri i gjuhës ka te fëmija, neuropediatrja ndalet te problemet me ushqyerjen me gji, higjienën orale, si dhe problemet me aktivitetet orale. Kika thekson se fëmijët që vuajnë nga peri i gjuhës, në shumë pak raste kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, në këto raste rekomandohet ndërhyrja logopedike.

“Mjaft prindër, të cilëve u vlerësoj fëmijët për zhvillimin gjuhësor, janë të shqetësuar se mos fëmija nuk po flet pikërisht për shkak të perit të gjuhës. Në fakt, këtë bindje e kanë pasur deri vonë dhe mjaft profesionistë apo logopedë”, thotë Kika, e cila tregon se evidencat shkencore tregojnë se peri i gjuhës ka fare pak ose aspak lidhje me të folurit apo zhvillimin e gjuhës ekspresive. Nga ana anatomike e funksionale pasi fëmija lind, peri i gjuhës s’ka pothuajse asnjë funksion. Gjuha ka një numër të madh muskujsh që ndërveprojnë mes tyre, për të realizuar funksionin e saj në prodhimin e tingujve të gjuhës dhe peri i gjuhës është gati i parëndësishëm.

Neuropediatrja Migena Kika, Gazeta “Si”, 17 prill, 2022.

Ankyloglossia mund të kufizojë lëvizjet e gjuhës, sidomos të majës së gjuhës dhe të pengojë me lëvizje të tilla, si nxjerrja e gjuhës jashtë apo lëpirja e akullores, thotë Kika, ndërsa lëvizjet që kërkohen për të prodhuar tingujt e gjuhës janë shumë të ndryshme, si në formë, ashtu dhe në forcë etj., me lëvizjet që mund të pengojë peri i gjuhës.

“Në asnjë rast peri i gjuhës nuk jep moszhvillim gjuhësor, siç mund të mendojnë disa prindër. Në këtë rast duhen kërkuar shkaqe të tjera”, thotë Kika.

Në disa raste, por jo aq të shpeshta sa mendohet, peri i gjuhës mund të japë probleme me artikulimin e disa tingujve si /t/, /s/ dhe /r/, por edhe /d/, /z/, /s/, /th/ dhe /l/.

Kika thekson se frenulum-i zakonisht hollohet dhe reduktohet përpara lindjes, nëse kjo gjë nuk ndodh, atëherë lëvizjet e gjuhës do të kufizohen. Megjithëse ankyloglossia, mund të jetë mjaft e dukshme në vitet e para të fëmijës suaj, neuropediatrja thotë se graviteti dhe efektet që jep në funksionalitet pakësohen me kalimin e kohës dhe me rritjen e fëmijës, sepse dhe vetë kaviteti oral rritet dhe lehtësohen simptomat.

“Gjatë 4 dhe 5 viteve të para të jetës, me rritjen e kavitetit oral, lartësohen dhe mishrat e dhëmbëve, dhëmbët bien dhe gjuha rritet dhe ngushtohet në majë. Në të njëjtën kohë frenulum linguale reduktohet, tërhiqet dhe mund edhe të rupturohet (çahet)”, thotë Kika, e cila thekson se me kalimin e kohës fëmija ka gjithnjë e më pak efekte nga peri i gjuhës.

Çfarë tjetër mund të shkaktojë peri i gjuhës?

Kika thotë se peri i gjuhës mund të ndikojë zhvillimin oral të fëmijës dhe kryesisht mënyrën si fëmija ushqehet dhe gëlltitet, probleme me ushqyerjen me gji, higjienë orale jo e mirë dhe probleme me aktivitetet orale.

Kika tregon se trajtimi i këtij problemi është i ndryshëm.

“Nëse jep problem me ushqyerjen me gji, disa mjekë rekomandojnë korrektimin menjëherë përpara se fëmija të ketë dalë nga materniteti. Disa të tjerë preferojnë të presin”, thotë Kika e cila shton se frenulum-i lingual reduktohet vetë me kalimin e kohës. Në shumë raste të tjera mund të ndikojë, por pa shkaktuar probleme. Trajtimi kirugjikal mund të nevojitet në raste të tjera. Në këtë rast realizohet ose frenotomia (prerja e perit) ose frenuloplastika.

Kika shpjegon se nëse fëmija juaj ka vonesë të të folurit, kjo nuk shkaktohet nga peri i gjuhës, kështu që prindërit duhet të kenë kujdes kur u rekomandohet ta presin atë. Edhe në rastet me çrregullime artikulimi, shumë pak raste kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Në këto raste rekomandohet ndërhyrja logopedike. Vetëm në raste kur ankyloglossia ndërhyn në ushyqerjen me gji, mund të rekomandohet ndërhyrja kirurgjikale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë