Ngjarje

South Outdoor, festivali në Borsh që do t’u diktojë turistëve përse ia vlen ‘të pushosh shqip’

Borshi, fshati bregdetar që ‘frymon’ mes malesh, do të jetë sërish streha e “South Outdoor Festival” i cili do të mbahet në datat 29 prill-3 maj, duke i çelur më herët dyert e sezonit turistik.

Prej këtij festivali të organizuar mes ullishteve, 200 metra nga vija më e gjatë bregdetare në Shqipëri,pritet që veç hovit të argëtimit e kulturës, të hapet rruga drejt zhvillimit të turizmit gjithëvjetor dhe promovimit të bukurive që riviera e Jonit servir.

Ai është festa e gjithçkaje që mund të shijoni në natyrë: sportit, kulturës, traditës, kulinarisë dhe padyshim detit.

Për të katërta vitet rradhazi, South Outdoor, ka mbledhur rreth 25 mijë turistë të huaj e shqiptarë por Eugen Likaj, një nga përgjegjësit e turizmit në Bashkinë Himarë, tregon për Gazetasi.al se ky vit parashikohet të mbledhë në Borsh 7-10 mijë të tillë. Thuajse dyfishi i atyre që morën pjesë vitin e shkuar, kur festivali u zhvillua në shtator.

Ai rrëfen se rezervimet e biletave kanë nisur që para festave të fundvitit dhe vijojnë me të njëjtin intensitet ndërsa të gjitha strukturat hotelerie jo vetëm në vend por edhe në fshatrat afër tij, janë thuajse të zëna.

“Vitet e shkuara kemi patur prezencë të madhe të turistëve të huaj ndërsa që pas pandemisë, fokusi më i madh ka qenë tek turistët vendas. Ata duhet të mësojnë bukurinë e vendit të tyre dhe të shijojnë prodhimet që Shqipëria ofron”, thotë Eugeni duke shtuar se është shumë e rëndësishme që t’i mësojmë shqiptarët ‘të pushojnë shqip’.

Foto nga South Outdoor Festival në Borsh, vitin e shkuar

Argëtimi në South Outdoor nuk do të përfundojë me perëndimin e diellit.

Në një panoramë të përgjithshme se çfarë pritet të ndodhë, në 4 ditë e 5 netë pritet të performojnë 31 këngëtarë dhe artistë të ndryshëm, duke përfshirë dhe katër artistë ndërkombëtarë. Gjithashtu do të zhvillohen më shumë se 40 lojra dhe aktivitete të ndryshme në natyrë si për të vegjlit ashtu edhe për të rriturit.

Disa nga këngëtarët që do të performojnë janë Feddle Le Grand, Kadebostany, Eiffel 65, Elvana Gjata, Elita 5, Eugent Bushpepa, Madman’s Choice, Offchestra, Gipsy Grove, Sardi Strugaj, Kullua, Mixed Up Everthing, Urban Band, Abelomania, Mickey, Goce, Aldo Boocky Elio Lleshi, Equinoxx, Liburn, etj.

Duke mos përmendur një shifër specifike, kostoja e festivalit pretendohet të jetë e lartë ndërsa kostoja e kënaqësisë për pjesëmarrësit është vetëm 50 euro, për të pesta ditët.

"Për një ditë të vetme bileta është 20 euro por do të ketë edhe çmime të tjera varësisht ndonjë pakete specifike që do të shoqërohet edhe me lojra të ndryshme", tregon Eugeni.

Transporti i pjesëmarrësve është 75 euro duke llogaritur sërish kthimin por qytetarët mund të përdorin edhe makinat me qira nga kompania Avis, për lehtësim.

Ndër të tjera, si një banor i Borshit Eugeni shton se ky organizim ka shërbyer shumë në drejtim të zhvillimit të zonës duke i ndihmuar të gjithë banorët vendas që merren me kulinarinë dhe agrokulturën.

Gjatë ditëve të festivalit një rëndësi të madhe do i jepet edhe izopolifonisë, një pjesë tradicionale e muzikës popullore shqiptare, e përfshirë në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s.

Organizatorët thonë për Gazetasi.al se të shtunën do të ketë edhe një ‘Natë nostalgjie’ me hitet e viteve ’80 dhe ’90 ndërsa nuk do të mungojë as ‘Nata Latine’ nën ritmin e salsas.

Të apasionuarit pas filmave, do të mund të shijojnë kinemanë e hapur në natyrë ku do të shfaqen disa nga filmat më të mëdhenj të kinematografisë botërore dhe klasikë nga Arkivi i Filmit Shqiptar, me titra në anglisht.

Kinemaja e hapur

Festivali do të organizohet sërish me mbështetjen e German Society for International Cooperation (GIZ), ndërsa ministrja e turizmit Mirela Kumbaro, tha se ndryshe nga vitet e tjera që bëhej në kulm të sezonit turistik që përgjithësisht fillon në qershor dhe mbaron në gusht tradicionalisht,po bëhet në prill me qëllim që ai të shtrihet në 6 muaj.

“Ne ua pasurojmë kalendarin me të tilla evente që nisin si diçka e guximshme në vitin e parë dhe kthehen në një model të qëndrueshëm që rrotullohet jo thjesht drejt një programi artistik por një stili jetese qoftë edhe për 5 ditë, të një bashkëjetese për natyrën, me natyrën”, tha ajo.

Organizatorët në Borsh po përpiqen të bëjnë të pamundurën që turistët të mos kenë vramendje për ushqimin, këngët, lojrat dhe akomodimin ndërsa shprehen se në favor të gjithë punës së tyre, është natyra e cila sipas tyre nuk është kursyer në bukuritë që i ka falur këtij fshati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë