Një trajtim i ri imunoterapie “vrasës” po jep përfitime duke sulmuar sëmundjet kanceroze që janë të vështira për t’u trajtuar. Studiuesit në Institutin e Kërkimit të Kancerit (ICR), Londër dhe fondacioni “Royal Marsden” kanë provuar ilaçin e ri, të njohur si AFM24. Ai ka treguar shenja efektiviteti në një të tretën e pacientëve me një sërë sëmundjesh kancerogjene të avancuara, që kishin ndaluar së reaguari ndaj trajtimit, duke përfshirë kancerin e zorrëve, mushkërive dhe pankreasit. AFM24 ridrejton qelizat imune vrasëse natyrale të trupit për të vrarë qelizat tumorale, pa pasur nevojë të kalojë procesin kompleks të ri-inxhinierimit të qelizave të vetë pacientit, i njohur si terapia e qelizave CAR-T.
Rezultatet e studimit të ri – një provë e fazës së parë me 24 pacientë që është në vazhdim – do prezantohen të hënën në konferencën e Shoqatës Amerikane për Kërkimin e Kancerit (AACR) që po mbahet në New Orleans.
Ekspertët shpresojnë se imunoterapia në të ardhmen mund të funksionojë kundër një sërë tumoresh kanceroze që vazhdojnë të rriten pavarësisht trajtimit. Ata gjithashtu besojnë se trajtimi i ri ka potencialin të jetë më i sigurt dhe më pak kompleks se terapitë qelizore si CAR-T dhe mund të funksionojë kundër një game më të gjerë të llojeve të kancerit.
Prova është financuar nga prodhuesi i ilaçit Affimed NV dhe po teston sigurinë e medikamentit dhe sasinë e dozës që duhet të jepet, si dhe efektivitetin e tij në trajtimin e tumoreve pozitive për EGFR – një proteinë kyçe e përfshirë në rritjen e kancerit. Një e treta e pacientëve në provë (tetë nga 24) iu përgjigjën imunoterapisë dhe panë se kanceri i tyre ndaloi së rrituri. Këto prova në fazat e hershme, shpesh përfshijnë njerëz të cilëve u kanë mbaruar opsionet e tjera.

Dy pacientë me kancer të zorrëve dhe një me kancer të mushkërive që morën imunoterapinë, panë se kanceri i tyre u tkurr ose ndaloi së rrituri për më shumë se tre muaj.
AFM24, i cili administrohet në mënyrë intravenoze, përgjithësisht tolerohej mirë nga pacientët.
Studime të mëtejshme tani po vlerësojnë AFM24 në kombinim me imunoterapi të tjera si atezolizumab për të synuar tumoret EGFR-pozitive.
Drejtuesja e provës në Mbretërinë e Bashkuar, Juanita Lopez, nga ICR dhe konsulente onkologe mjekësore në spitalin “Royal Marsden”, tha se qelizat vrasëse natyrore janë një pjesë thelbësore e sistemit imunitar dhe janë në gjendje të njohin qelizat e kancerit.
“Kjo imunoterapi e re, AFM24, mund të ridrejtojë qelizat vrasëse natyrore te tumoret, duke synuar një proteinë të quajtur EGFR, e cila shpesh gjendet në sipërfaqen e qelizave kancerogjene. Ky trajtim është ende shumë eksperimental dhe prova jonë është në një fazë të hershme, por ne jemi të emocionuar nga potenciali i tij”, shpjegoi Lopez.
Profesor Kristian Helin, shefi ekzekutiv i ICR, tha se ky trajtim i ri është shumë inovativ sepse gjen një mënyrë për të drejtuar qelizat vrasëse natyrore brenda sistemit imunitar drejt tumoreve, pa kërkuar ri-gjenerim kompleks dhe të shtrenjtë të qelizave të pacientit.
Burimi: The Independent/Përshtati:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



