Studimi më i madh gjenetik ndonjëherë i skizofrenisë ka identifikuar një numër të madh gjenesh specifike që mund të luajnë rol të rëndësishëm në çrregullimin psikiatrik.
Një grup prej qindra studiuesish në 45 vende analizuan ADN-në e 76,755 njerëzve me skizofreni dhe 243,649 pa të, për të kuptuar më mirë gjenet dhe proceset biologjike që mbështesin këtë gjendje.
Studimi i Konsorciumit “Psychiatric Genomics”, i udhëhequr nga shkencëtarët në Universitetin e Cardiff-it, gjeti një numër shumë më të madh lidhjesh gjenetike me skizofreninë se kurrë më parë, në 287 rajone të ndryshme të gjenomit, projekti i ADN-së së trupit të njeriut.
Për më tepër, ata treguan se rreziku gjenetik për skizofreninë shihet në gjenet e përqendruara në qelizat e trurit të quajtura neurone, por jo në ndonjë ind ose lloj qelize tjetër, duke treguar se është roli biologjik i këtyre qelizave që është vendimtar në skizofreni. Ekipi hulumtues thotë se ky studim global hedh dritën më të fortë ende mbi bazën gjenetike të skizofrenisë. Studimi, është publikuar në revistën ndërkombëtare “Nature”.
“Hulumtimi i mëparshëm ka treguar lidhje midis skizofrenisë dhe shumë sekuencave anonime të ADN-së, por rrallë ka qenë e mundur të lidheshin gjetjet me gjene specifike. Studimi aktual jo vetëm që rriti shumë numrin e te dhenave por është edhe një hap i domosdoshëm në atë që mbetet gjithesesi një rrugëtim i vështirë drejt të kuptuarit të shkaqeve të këtij çrregullimi dhe identifikimit të trajtimeve të reja,” tha bashkëautori, Michael O’Donovan, nga Divizioni i Mjekësisë Psikologjike dhe Neuroshkencave Klinike në Universitetin e Kardifit.

Skizofrenia është një çrregullim serioz psikiatrik që fillon në adoleshencën e vonë ose në fillim të moshës madhore dhe në çdo kohë prek rreth një në 300 njerëz në mbarë botën, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Në studimin më të madh të shoqatës së gjenomit deri më sot, ekipi hulumtues identifikoi një “rritje të konsiderueshme” në numrin e rajoneve gjenomike të lidhura me skizofreninë. Brenda këtyre rajoneve, ata përdorën metoda të avancuara për të identifikuar 120 gjene që mund të kontribuojnë në çrregullim.
Gjetjet, tregojnë gjithashtu se funksioni jonormal i neuroneve në skizofreni prek shumë zona të trurit, të cilat mund të shpjegojnë simptomat e tij të ndryshme, të cilat mund të përfshijnë halucinacione, deluzione dhe probleme me të menduarit qartë.
Ky studim ka demonstruar rëndësinë dhe fuqinë e mostrave të mëdha në studimet gjenetike, për të fituar njohuri mbi çrregullimet psikiatrike. Ekipi tani po kërkon të rekrutojë më shumë pjesëmarrës në kërkime dhe të ndërtojë grupe të dhënash më të mëdha dhe më të larmishme, për të avancuar më tej të kuptuarit tonë të skizofrenisë.
Burimi:The Independent/Përshtati:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



