Treg

ERE: Bursa e energjisë nis operimin në nëntor. Vetëprodhuesit mbuluan 33% të nevojave të tyre për energji

Në raportin vjetor të Entit Rregullator të Energjisë, njoftohet se Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike, ALPEX, do të nisë tregtimin e energjisë në nëntor 2022.

Në janar 2023 do të mundësohet tregtimi për tregun e Kosovës dhe bashkimi i dy tregjeve Shqipëri-Kosovë.

Po ashtu, për herë të parë në këtë raport bëhet publik edhe fakti se në fund të vitit 2021 u arrit përzgjedhja e ofruesit të këtij shërbimi, me fitues bashkimin e operatorëve të udhëhequr nga Bursa e Athinës “Hellenic Exchanges – Athens Stock Exchang e S.A.”

Në raport, ERE tregon dhe licencimet e reja që ka bërë në sektorin energjitik. Gjatë 2021-shit janë licencuar 5 subjekte për prodhimin e energjisë elektrike, 8 për tregtimin e saj dhe 4 për furnizim.

Enti Rregullator i Energjisë raporton se 1/4 e sasisë së energjisë që vetëprodhuesit konsumuan në vitin e shkuar erdhi nga impiantet e tyre ndërsa pjesa tjetër nga Furnizuesi i Shërbimit Universal.

“Nga të dhënat e grumbulluara rezulton se në total gjatë vitit 2021, Vetëprodhuesit kanë prodhuar nje sasi prej rreth 2.674.615 Kw gjatë 8 mujorit të parë të 2021. Energjia që është furnizuar nga FSHU për këta vetëprodhues, për të njëjtën periudhë është në masën 7.738.233 Kw.

I njëjti zbardh se gjatë vitit 2021 ka pasur rreth 206 aplikime për ushtrimin e aktivitetit të vetëprodhuesit nga ana e konsumatorëve fundorë dhe 113 prej tyre u është miratuar aplikimi për ushtrimin e këtij aktiviteti dhe lidhjen me rrjetin nga ana e OSSH sh.a.

Sipas ERE aktualisht Durrësi Tirana dhe Elbasani rezultojnë se janë zonat në të cilat ka pasur më shumë njësi fotovoltaike për vetë prodhuesit të instaluara, lidhur kjo edhe me potencialin më të madh të këtyre zonave për të garantuar rendiment të njësive prodhuese fotovoltaike për shkak të numrit të ditëve me diell, të domosdoshme për këtë lloj teknologjie.

Ndonëse në bilancin total të energjisë së prodhuar, ato fotovoltaike zënë një përqindje të papërfillshme, 0.5% për vitin 2021, për vetëprodhuesit duket më e leverdisshme.

Zë fundmi, qeveria e riktheu vëmendjen në nxitjen e këtyre lloj investimeve për bizneset dhe konsumatorët e thjeshtë, duke kërkuar instalimin e paneleve për vetëkonsum. Pjesa tjetër, mund të futet në sistem dhe të kompensohet në para apo energji në një moment të dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë