Menaxhim

BSH: Sektori bankar të vlerësojë me kujdes rreziqet e reja nga lufta në Ukrainë

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi sot (6 prill) Deklaratën dhe Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2021 e cila vlerëson se në këtë gjashtëmujor, veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme.

Depozitat dhe kreditë u rritën me ritme të shpejta, cilësia e kredisë vijoi përmirësimin dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme.

Sipas Deklaratës, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve u paraqit i kontrolluar. Zhvillimet ekonomike përgjatë vitit 2021 ishin mjaft pozitive, ndonëse rritja ekonomike, ulja e normës së papunësisë dhe goditjet nga krahu i ofertës, u shoqëruan me rritje të presioneve inflacioniste në fund të periudhës.

Megjithatë, Deklarata vlerëson se agresioni ushtarak në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë, kanë ashpërsuar më tej problemet globale me zinxhirët e prodhimit dhe ofertën, duke ndikuar në rritjen e mëtejshme të çmimit të naftës e gazit, të drithërave dhe të metaleve.

Projeksionet e reja sugjerojnë presione të qëndrueshme inflacioniste në afat të shkurtër, të cilat mund të shoqërohen me rritje të kostove të prodhimit, rënie të konsumit dhe të investimeve, pra me ngadalësim të rritjes ekonomike. Reagimi i politikave ekonomike dhe financiare për të zbutur këtë goditje, vlerësohet i përshtatshëm në kushtet kur pasiguritë rreth zhvillimeve gjeopolitike dhe situatës energjitike, janë të konsiderueshme.

Sipas Këshillit Mbikëqyrës, këto zhvillime evidentojnë nevojën që politikat ekonomike dhe financiare të ruajnë elementët e fleksibilitetit për të reaguar në linjë me dinamikën e zhvillimeve. “Ekspozimi i drejtpërdrejt i sektorit bankar ndaj vendeve në konfliktin e mësipërm, është i vogël dhe nuk do të ndikojë në treguesit e qëndrueshmërisë financiare të veprimtarisë.

Por, ekspozimi i tërthortë përcaktohet nga ecuria e ekonomisë, qëndrueshmëria makroekonomike dhe performanca e huamarrësve.

“Si edhe më parë, për sektorin bankar mbetet aktuale rëndësia e vlerësimit të rregullt të shkallës së ekspozimit ndaj rreziqeve te reja dhe e ruajtjes së një qëndrimi proaktiv në drejtim të marrjes së masave për zbutjen dhe përballimin e tyre. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, për të mbështetur veprimtarinë bankare dhe kontribuar në stabilitetin e sistemit financiar,” thuhet në deklaratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë