Ngjarje

Shembet hoteli në Radhimë, italiania që e kishte marrë me qira: Kam mbetur në mes të rrugës

Gazeta Si – Një hotel në Radhimë të Vlorës është shembur mëngjesin e kësaj të marte në kuadër të aksionit të IKMT-së “Bregdeti ynë”.

Pronarët e hotelit kanë nisur prej orëve të mëngjesit çmontimin e tij pa kundërshtime dhe në zonë nuk ka pasur përplasje me policinë, e cila ka qenë e pakët në numër.

Pronarëve të godinës u ishte lënë një afat 10 ditor për boshatisjen e ndërtesës, por ajo që ka kundërshtuar shembjen, ka qenë  Merina Carillo, administratorja italiane, e cila kishte marrë me qira për pesë vite hotelin.

Ajo shprehet se ka paguar taksat për gjithë vitin 2022 dhe se rrezikon të mbesë në mes të rrugës pa një çati mbi kokë.

“Si qytetare italiane mendova të kisha të paktën një shtëpi, deri sa të gjeja një tjetër. Unë jam në mes të rrugës tani. Nuk e di çfarë të bëjë dhe ku të shkoj. Mora dje këtë dokument, më telefonuan nga posta.  Nëse unë paguaj taksat gjithë vitin, atëherë më thuaj përse? Njihen apo nuk njihen, më bëni të kuptoj. I kam paguar të gjitha për vitin 2022, rreth 1 milion lekë. Tani nuk di çfarë të bëj, jam në mes të rrugës. Nuk është e drejtë. Që një qytetar italian të flejë në rrugë nuk e di nëse është shumë e drejtë”, tha ajo.

Po ashtu ajo thotë se deri tani nuk i janë kthyer as paratë dhe nuk ka ende një përgjigje zyrtare, pavarësisht se i është drejtuar dhe gjykatës dhe ambasadës italiane. Zonja pretendon se nuk është njoftuar dhe se shteti shqiptar po e dëmton në biznes.

Më herët, pronarja e hotelit, Arleta Havari, tha se objekti ishte në proces legalizimi dhe disponon dokumentet e tokës ku është ndërtuar.

Pronarët dhe të familjarët e saj kundërshtuan me forcë prishjen një javë më parë, ndërkohë një prej tyre mori fëmijën dhe hipi mbi tarracë, duke kërcënuar se do të hidhej nëse IKMT do të ndërhynte. Por këtë të martë, gjatë procesit të shembjes, ata nuk kanë reaguar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë