Menaxhim

ERE refuzon të licencojë prodhimin e energjisë nga kompania e parkut fotovoltaik në Karavasta: S’ka dokumentacionin e nevojshëm. 30 ditë kohë

Enti Rregullator i Energjisë ka refuzuar të licencojë prodhimin e energjisë elektrike nga kompania “KARAVASTA SOLAR”, pjesë e “Voltalia” që do të ndërtojë parkun fotovoltaik në Karavasta.

ERE i ka dhënë 30 ditë të tjera kohë kompanisë që të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm për licencim.

“Duke qenë se shoqëria “KARAVASTA SOLAR” sh.p.k. ka plotësuar një pjesë të konsiderueshme të dokumentacionit të kërkuar nga Rregullorja, vlerësohet që të zgjatet me 30 (tridhjetë) ditë pune afati i vendimmarrjes së bordit mbi aplikimin e shoqërisë për t’u licencuar në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike, duke i dhënë kështu mundësinë shoqërisë që të plotësojë dhe dokumentacionin e mbetur ende pa u plotësuar i cili duhet të depozitohet brenda 20 (njëzet) ditëve pune” thuhet në një nga vendimet e fundit të marsit të Entit.

Aplikimi u fitua nga kompania franceze “Voltalia”, pjesë e së cilës është dhe kompania shqiptare, një vit më parë. Parku fotovolatik i Karavastasë është projektuar me fuqi 140 MW, ku 70 megavat janë të ndara për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar. Çmimi i rregulluar zgjat për 15 vite dhe do të blihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë.

“Voltalia” më pas mori pjesë dhe u shpall fituese edhe për ndërtimin e një tjetër impianti siç është ai i Spitallës. Në mars  të vitit 2021 qeveria hapi ofertat për ankandin ku kompania ofroi një çmim 29.89 euro/MWh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë