Menaxhim

Punonjësit po kthehen në zyrë… për t’u ulur sërish në telefonatat me Zoom

Është pjesa e kthimit në zyrë e historisë së 2022- përgatitja e fëmijëve për shkollë, nxjerrja e rrobave të punës, ‘lufta’ me trafikun rrugës për punë- dhe më pas kryerja e një videotelefonate me kolegët… e ulur pranë jush.

Me rastet e Covid relativisht të ulëta, kompanitë po i thërrasin gjithnjë e më shumë punonjësit e tyre në punë personalisht, të paktën për një pjesë të javës. Drejtuesit zakonisht përmendin bashkëpunimin dhe kulturën e punës si arsye për t’u rikthyer. Por sapo të hyjnë në zyrë, punëtorët po zbulojnë se takimet e Zoom janë ende një aspekt qendror i ditës.

Edhe për ata që janë kthyer në zyrë, Zoom është më i lehtë se sa të bashkoni një grup në një sallë konferencash, dhe në disa raste, është një domosdoshmëri për ekipet që punojnë nëpër qytete ose vende të ndryshme. Për ata që preferojnë të punojnë nga shtëpia, por tani u kërkohet të vijnë në zyrë, është gjithashtu një burim zhgënjimi.

Plus, ka koston e udhëtimit.

Qëndrimi në shtëpi

Pavarësisht se kompanitë si JPMorgan Chase & Co., Google dhe Apple i kthejnë punonjësit në zyrë, shumë amerikanë preferojnë punën në distancë.

Një studim i kohëve të fundit nga konsulenca e menaxhimit Advanced Ëorkplace Associates tregoi se vetëm 3% e punonjësve preferojnë të punojnë në zyrë pesë ditë në javë dhe 86% duan të punojnë nga shtëpia të paktën dy ditë në javë.

Punonjësit që duan të kthehen në zyrë po kërkojnë “socializimin dhe ndërtimin e marrëdhënieve më shumë se çdo gjë tjetër”, tha Brian Elliott, udhëheqës ekzekutiv i Forumit Slack Future, i cili studion evolucionin e punës. “Kur pyet drejtuesit, ka më shumë gjasa të marrësh një përgjigje rreth bashkëpunimit ose më keq akoma produktivitetit, kur njerëzit kanë shpenzuar dy vitet e fundit duke provuar se mund të jenë produktivë duke punuar nga shtëpia.”

Për Dave Murphy, i cili punon në menaxhimin e IT-së në Sacramento, Kaliforni, nuk ka kuptim t’i detyrosh njerëzit në një zyrë, veçanërisht nëse ata janë duke punuar me kolegë në vende të tjera gjeografike.

Arsyetimi që punëdhënësi i tij po reklamon, se punonjësit punojnë më mirë kur janë së bashku në një zyrë, i duket i zbrazët.

“Ka një boshllëk në atë bisedë sepse bashkëpunimi nuk është arsyeja,” tha Murphy. “Në zyrë, ne jemi pak a shumë të fokusuar në punën tonë. Nuk është se pesë prej nesh mblidhemi rreth një kompjuteri dhe zgjidhim ndonjë problem.”

Që një strategji hibride të funksionojë mirë, kompanitë duhet të jenë të qëllimshme rreth asaj se si dhe pse njerëzit po kthehen në punën personalisht, tha Lauren Mason, konsulente e lartë për biznesin e karrierës në Mercer, një firmë konsulence menaxhimi. Tani për tani, shumë firma po e anashkalojnë atë në nxitim për të rihapur zyrat.

“Kur njerëzit kthehen dhe ata janë ende të përqendruar në telefonatat me video, kjo krijon më tej zhgënjim dhe pakënaqësi ndaj detyrimit për t’u kthyer në zyra,” tha ajo.

Përparësitë e ZOOM

Megjithatë, përkundër gjithë urrejtjes ndaj video-telefonatave, ka edhe disa përfitime në krahasim me takimet personale.

Është më e lehtë të shikosh dokumente ose shënime në një ekran krahas telefonatës. Funksioni i ndarjes së ekranit do të thotë se nuk ka nevojë të printoni faqe. Dhe për ata që nuk janë aq të interesuar për takimin, është i përshtatshëm për të kryer shumë detyra.

Jonathan Richardson, një avokat në Otava, shpesh bën takime në Zoom me klientët në mënyrë që ata të mos kenë nevojë të udhëtojnë në zyrën e tij në qendër të qytetit. Në këtë mënyrë, ata nuk duhet të marrin pushim nga puna ose të paguajnë për parkim.

Zyra e tij ka vetëm 11 punonjës dhe atyre u lejohet të punojnë nga shtëpia sa herë të duan. Shumë po vijnë në zyrë, por jo të gjithë në të njëjtën kohë, që do të thotë se takimi i tyre javor i së martës është gjithmonë një thirrje Zoom.

“Ka disa detyra që bëhen shumë më lehtë personalisht, por shumë nga ato që bëjmë ne mund të bëhen nga Zoom,” tha ai.

Lufta tani për kompanitë është të kuptojnë se si të vazhdojnë të përdorin teknologjinë e epokës së pandemisë që i ka bërë më të lehta disa aspekte të punës, duke inkurajuar gjithashtu ndërveprimet në jetën reale.

“Të gjith po e kuptojnë këtë tha Mason. “Ashtu si dy vjet më parë ne u detyruam në këtë punë në distancë, tani kemi të njëjtat sfida për të kaluar në hibrid. Do të jetë një periudhë përshtatjeje.”

Burimi: Bloomberg; Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë