Vitet e fundit Shqipëria po përballet me rënie të ndjeshme të popullatës së bletëve dhe sipas ekspertëve, faktori kryesor është një: përdorimi pa kriter i pesticideve.
Gjatë sezonit të pranverës, luftimi i disa insekteve nuk u lë fermerëve mundësi tjetër përpos përdorimit të pesticideve i cili më pas shkakton kolaps në mbarështimin e bletëve.
Përfaqësues nga “Shoqata e Bletarëve Shqiptarë” thonë se ka do vite që bletërritësit hasen me këtë problematikë, duke humbur rreth 30% të bletëve, pikërisht në sezonin e pranverës kur ato bëjnë edhe prodhimin më të madh të mjaltit.
Humbjet më të mëdha të koshereve të bletës ishin në vitet 2016-2017 ku më shumë se 144 mijë koshere nga 300 mijë, nuk e kanë kaluar dimrin. Edhe për këtë vit, pritshmëritë e bletërritësve nuk janë pozitive.
Jurgen Shqefni, bletërritës por njëkohësisht edhe mjek veteriner, shprehet për Gazetasi.al se përdorimi i këtyre pesticideve vepron në sistemin nervor të bletëve duke shkaktuar helmimin dhe më pas humbjen progresive të tyre.

“Duke qenë se fermerët ankohen për cilësinë e dobët të tyre, i spërkasin disa herë pemët, që nga çelja e lules deri tek vjelja e frutit. Në vijë ajrore deri në 2-3 km dallohet kur dikush ka bërë spërkatje.
Ka dhe pesticide specifike jo aq të dëmshme por fermerët përgjithësisht udhëhiqen nga kostot më të lira”, thotë ai për Gazetasi.al duke shtuar se në raste të tilla nevojitet trajtim i posaçëm për bletët.
Mandej ai shton se shumica e helmimeve të mëdha ndodhin kur bimët janë në lulëzim dhe humbjet më të mëdha janë në zonat ku ka intensitet të lartë të frutikulturës, kryesisht në Dibër dhe në Korçë.
“Për të shmangur këtë situatë, duhet që pesticidet të përdoren kur bletët nuk janë në pikun e fluturimit. Përgjithësisht ata e arrijnë kulmin kur temperatura e ajrit është mbi 13-15 gradë Celsisus.
Spërkatjet është mirë të bëhen pasdite, kur puna e bletëve bie ndjeshëm, mundësisht para mbrëmjes. Gjithashtu është e rëndësishme që të mbrohet edhe uji nga ndotja pasi bletët kanë nevojë për sasi të bollshme uji”, thotë ai më pas për Gazetasi.al.
Nga të gjitha llojet e pesticideve që dëmtojnë bletët, njëri është veçanërisht më i dëmshëm, i njohur si neonikotinoidë dhe i ndaluar nga Bashkimi Europian në 2017-n.
Përdorimi i tij në shkallë globale, një gabim që çoi drejt katastrofës
Vendimi për ndalimin e pesticideve erdhi pas një raporti të detajuar të Komisionin Europian sipas të cilit ekspertët arritën në përfundimin se pesticidet dhe hormonet ndotin tokën dhe ujin. Kjo bën që të gjitha bimët dhe lulet e egra që mbijnë në fushat ku janë përdorur pesticide, të jenë të ndotura për të gjitha dekadat në vazhdim.

Një studim i mostrave të mjaltit zbuloi se kontaminimi i neonikontinodëve kishte arritur tashmë në shkallë globale. Vytenis Andriukaitis, komisionerja europiane për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore, asokohe mirëpriti vendimin duke thënë se komisioni i kishte propozuar këto masa muaj më parë.
Ndalimi u nxit gjithashtu pas një peticioni të nënshkruar nga 5 milionë njerëz, të cilët këmbëngulnin se shëndeti i bletëve mbetet i një rëndësie të madhe për Europën që ka të bëjë me biodiversitetin, prodhimin e ushqimit dhe mjedisin.
Pothuajse të gjithë ekspertët bien dakord se vendimi për lejimin e tyre një çerek shekulli më parë ishte një gabim që çoi drejt një katastrofe mjedisore.
Rëndësia e bletëve në ekonomi
Njerëzit që merren me bletari e dinë që ai është një biznes i ëmbël si nga të ardhurat që sjell ashtu edhe nga produktet që prodhon.
Fermerët shqiptarë kanë filluar të merren gjithnjë e më shumë me bletari dhe me prodhimin e mjaltit, të ndihmuar edhe nga kushtet e favorshme klimatike që janë jetike për këtë biznes.
Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, prodhimi vendas i mjaltit ka ardhur në rritje. Nga viti 2012 deri në 2021, prodhimi është rritur me 40%, gjë që tregon angazhim më të madh të fermerëve shqiptarë.
Është vlerësuar se në Amerikën e Veriut rreth 30% e ushqimit që njerëzit konsumojnë prodhohet nga jeta bimore e pjalmuar nga bletët.
Vlera e pllenimit nga bletët vlerësohet rreth 16 miliardë dollarë vetëm në SHBA. Ne nuk do të ishim në gjendje të shijonim shumicën e frutave, perimeve ose arrave tona të preferuara pa këta pjalmues.
Bletët gjithashtu polenizojnë të lashtat si tërfili dhe jonxha me të cilat ushqehen bagëtia, duke i bërë të rëndësishme për prodhimin dhe konsumin tonë të mishit dhe qumështit.
Prodhimi i mjaltit nga rreth 135 mijë bletarë amerikanë që kujdeseshin për rreth 2.44 milionë koloni arriti në pothuajse 148.5 milionë paund në vitin 2007. Ky prodhim ishte me vlerë mbi 150 milionë dollarë me një kosto për paund për të gjithë mjaltin në 103 cent (Shërbimi Kombëtar i Statistikave Bujqësore).
Pllenimi nga bletët përmirëson prodhimin global të të korrave me një shtesë prej 235-577 miliardë dollarë në vit, me përfitimet më të mëdha ekonomike që janë parë në Mesdhe, Azinë Jugore dhe Lindore dhe Europë.
Bletët janë pjalmuesit kryesorë të bimëve. Pllenimi i insekteve siguroi 153 miliardë euro, që përfaqëson 9.5% të vlerës totale ekonomike të prodhimit bujqësor të përdorur drejtpërdrejt për ushqimin e njerëzve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



