Këshilli i Ministrave ka miratuar përfundimisht indeksimin me 3.3% të të gjitha pensioneve nisur nga muaji prill. Kështu njofti ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj pas mbledhjes së qeverisë.
“Akti normativ i buxhetit ka parashikuar një sërë masash për shtresat në nevojën. Një nga masat e parashikuara në projektvendimin e sotëm të qeverisë indeksimi me 3.3% për të gjitha kategoritë e pensioneve. Kjo ka një efekt në buxhet prej 3.3 miliardë lekësh. Parashikimi fillestar ka qenë për 2.4 % pasi ky është inflacioni mesatar dhe ky është inflacioni që shërben si indeks. Ky vendim erdhi pas rritjes së çmimeve në dy muajt e fundit. Ne vendosëm që për shportën e pensionistëve të bëjmë një rritje me 3.3%. 576 persona që marrin prej 3 mijë lekë në muaj për rritjen e produkteve bazë të shportës. Është 2.500 lekë shtesa e shpenzimeve mesatare që vjen si rezultat i rritjes së çmimeve të shportës”.
Sipas saj ky vendim erdhi pas rritjes së çmimeve në dy muajt e fundit dhe do të ketë kosto në buxhet 3.3 miliardë lekë.
“Nga muaji prill do të indeksohen pensionet me 3.3 %. Sipas ligjit, indeksimi i pensioneve bëhet me mesataren e një viti më parë. Ne e ndryshuam këtë model dhe morëm mesataren e shkurtit dhe pensionet do të indeksohen me 3.3 %. Janë 1 miliard lekë shtesë që do të shkojnë për indeksimin e pensioneve”, – ishte shprehur ministrja më herët gjatë muajit mars.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.