Treg

Tregu i sigurimeve në përmirësim, rriten sigurimet e jetës

Ndonëse tregu i sigurimeve shfaqi sinjale përmirësimi gjatë muajit shkurt, ai sërish mbetet në nivele më të ulëta në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare(AMF) primet e shkruara bruto për dymujorin e parë të këtij viti kishin vlerën e 2.8 miliardë lekëve në rënie me 0.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Për janarin, rënia ishte 5.2%.

Rënia në këtë fillim viti është përcaktuar nga segmenti më i madh i tregut, ai i sigurimeve të jo-jetës, me 1.8% më pak krahasuar me një vit më parë.

 Ndikimin më të madh në rënie po e japin produktet e lidhura me sigurimin e pronës. Produkti kryesor vullnetar i tregut të sigurimeve, ai i sigurimit nga zjarri dhe forcat e natyrës pësoi një rënie të primeve me 58.3% krahasuar me dymujorin e parë të vitit të kaluar, ndërsa sigurimi kundrejt dëmtimeve të tjera në pronë pësoi një rënie me 23.8%.

 Nisja e dobët e vitit e ka ulur peshën e këtyre produkteve në rreth 9% të tregut të jo-jetës, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë zinin afërsisht 20%.

Shumica e produkteve të tjera të tregut kanë shfaqur ecuri pozitive, me rritje krahasuar me një vit më parë. Sigurimet e detyrueshme motorike ngelen dominuese, me 67% të primeve të shkruara bruto. Rritja më e lartë u regjistrua në produktin e kartonit jeshil, me më shumë se 35%. Ndërsa produkti me peshën më të lartë në treg, sigurimi i brendshëm motorik regjistroi një rritje me 7.2%. Rritje me ritme të larta shënoi edhe produkti i sigurimit të aksidenteve në udhëtim, me 67.7% më shumë krahasuar me vitin e kaluar.

Ndërkohë, tregu i sigurimit të jetës po shfaq edhe këtë vit ritme të rritjes dyshifrore. Primet e sigurimit të jetës u zgjeruan me 13.8% krahasuar me dy muajt e parë të vitit të kaluar. Në numër kontratash, rritja ishte disa herë më e lartë, me 67% më shumë.

Tregu i sigurimit të jetës edhe këtë vit po mbështetet kryesisht tek produkti kryesor, sigurimi i jetës së debitorit, që përbën rreth 72% të primeve të shkruara bruto. Ky produkt është kryesisht i lidhur me sigurimin e detyrueshëm të jetës së huamarrësve në sektorin bankar. Megjithatë, rritje të konsiderueshme në tregun e sigurimit të jetës po shënojnë edhe shumica e produkteve të tjera, që po shfaqin një tendencë në përmirësim që prej vitit të kaluar.

Në total, për dy muajt e parë të vitit siguruesit paguan mbi 9 mijë dëme, shifër kjo 14% më e lartë krahasuar me një vit më parë.

 Por, vlera totale e dëmeve të paguara nga siguruesit për janarin ishte 840 milionë lekë, në rënie vjetore me pothuajse 40%. Dëmet e paguara pësuan rënie si në segmentin e jetës, me 26.9%, ashtu edhe në atë të jo-jetës, me 41.5%.

Rënia e vlerës së dëmeve, megjithë numrin më të lartë të tyre, mund të shpjegohet kryesisht me zhvendosjen e rasteve nga klasat e sigurimit të pronës, ku dëmet mesatare janë më të larta, tek sigurimet e detyrueshme motorike. Statistikat tregojnë se dëmet në pronë kanë një vlerë mesatare rreth tre herë e gjysëm më të lartë krahasuar me dëmet në sigurimet motorike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë