Njerez

‘Më punësojnë edhe vetëm për të pritur në spital me to’/ Të paguhesh për të bërë asgjë…

Në Japoni, çdokush mund të “marrë” me qira një djalë që puna e tij është të mos bëjë asgjë.

Po, dikush paguhet për të mos bërë asgjë. Gratë që duan të shkojnë për një darkë por jo vetëm e as të shoqëruara me dikë që njohin, janë disa nga njerëzit që e marrin me qira Shoji Morimoto, 38-vjecar.

Për vite të tëra, në Japoni dhe Korenë e Jugut ka një biznes që merr me qira të huaj për të imituar miqtë, anëtarët e familjes ose të njohurit e tjerë në festa dhe darka.

Por gjatë katër viteve të fundit, Shoji Morimoto ka ndërtuar një kult duke u ofruar si një trup i ngrohtë që thjesht mund të jetë aty, duke i çliruar klientët e tij nga pritshmëritë sociale të të folurit dhe të bisedës. Morimoto, I quajtur “Rental-san”, ka frymëzuar një seri televizive dhe tre libra dhe ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare përmes postimeve të tij virale në mediat sociale.

Puna e Morimotos është bërë e famshme kudo. Ai priti në vijën e finishit të një maratonë për një klient që donte të shihte një fytyrë të njohur në fund të garës. Dikush e punësoi që të ulej me të ndërsa ai mbaronte punët e rëndësishme, sepse nuk ishte produktiv nëse punonte vetëm. Ai dëgjon punonjësit e kujdesit shëndetësor që përshkruajnë problemet që solli pandemia në shëndetin mendor.

Ai paguhet 10,000 jen (rreth 64 dollarë) për seancë, dhe më së shpeshti punësohet për të shoqëruar njerëzit që janë në një pikë kthese në jetë, ose duan të flasin për kujtime traumatike, ose janë duke u përballur me një moment të vështirë që nuk ndihen rehat ta ndajnë me miqtë ose familjarë. Ai thjesht do të jetë aty, pa asnjë gjykim dhe larg hapësirës së tyre personale.

Një grua e punësoi atë për ta shoqëruar teksa ajo dorëzonte dokumentet e divorcit. Një herë ai shkoi në spital me një klient për një konsultë me mjekun. Dikush e punësoi atë për një ‘lamtumirë dramatike’. Ndërsa klienti hipi në një tren për të lëvizur nga Tokio në Osaka, ai u shfaq dhe e përshëndeti me dorë.

Morimoto thotë se e kërkojnë sepse shpesh klientët nuk duan t’i ngarkojnë njerëzit me problemet e tyre.

“Unë mendoj se kur njerëzit ndihen të pambrojtur ose janë në momentet e tyre të vështira, ata bëhen më të ndjeshëm ndaj njerëzve që janë pranë tyre, si për shembull se si do të perceptohen, ose nëse do i mërzisin”, thotë ai. “Kështu që unë mendoj se ata thjesht duan të kontaktojnë një të huaj pa asnjë lloj ndjenje të përfshirë”.

Ndryshe nga fushat e tjera të industrisë së qiradhënies, pritshmëritë e Morimoto janë minimale. “Megjithatë, ai ofron llojin e mbështetjes emocionale që shumë njerëz dëshirojnë, por mund të kenë vështirësi për ta gjetur, veçanërisht gjatë një pandemie që ka përkeqësuar ndjenjat e izolimit”, thotë Yasushi Fujii, profesor psikologjie në Universitetin Meisei në Tokio.

“Duke ndërvepruar me miqtë dhe njerëzit e tjerë, ka gjithmonë faktorë të panjohur që mund të hyjnë në lojë. Por duke u takuar me Rental-san, është shumë e lehtë të dish se çfarë të presësh dhe të kesh kontroll të plotë të situatës”, thotë Fujii.

Në Japoni ka edhe djem që janë vetëshpallur të shëmtuar në mënyrë që të merren me qira nga njerëz që duan të rrisin vetëvlerësimin duke pasur në krah një njeri më pak të bukur.

Por Morimoto është vetmi që paguhet për të mos bërë asgjë dhe shumë njerëz tani e punësojnë atë për risinë.

Morimoto duke shoqëruar një grua që po bën pazar.

Morimoto, i cili u rrit në Kansai, një rajon jugor të Japonisë, mendoi të fillonte punën e re pasi në punët e mëparshme iu tha se ai nuk po bënte mjaftueshëm dhe nuk kishte iniciativë të mjaftueshme për të pasur sukses. Ai tani ka një deri në dy klientë në ditë, nga tre në katër para pandemisë.

“Shpesh më thonin se nuk po bëja mjaftueshëm, ose se nuk po bëja asgjë, kështu që kjo u bë një kompleks për mua. Vendosa të përfitoj nga kjo dhe ta kthej atë në biznes”, thotë ai.

Stili i jetesës funksionon mirë për Morimoto, i cili nuk është aq llafazan apo shprehës edhe kur nuk punon. Ai vendos kapelën e tij blu në mënyrë që klientët ta njohin lehtësisht, por vishet sipas punës që do të bëjë.

Morimoto heziton të bëjë shumë supozime se pse modeli i tij i biznesit ka fituar famë virale. Ai thotë se ka mësuar të mos gjykojë të tjerët dhe të ketë ndjeshmëri për njerëzit që mund të kalojnë sfida të mëdha, por nuk e tregojnë.

“Njerëzit që vijnë tek unë me probleme të mëdha, zakonisht nuk janë njerëz që duken sikur po vuajnë. Të gjithë, edhe ata që duken mirë, të gjithë kanë problemet dhe sekretet e tyre”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë