Në ankandin e fundit të Bankës së Shqipërisë për obligacionet 7-vjeçare, kuponi i tyre u rrit ndjeshëm me 0.22% në 4.23%.
Kuponi i rritur u reflektua dhe në kërkesën e ulët për këto tituj, ku nga 5 mld lekë shumë të shpallur, u ofruan vetëm 4 mld dhe u pranuan 3.5 mld.
Rritja e kuponave dhe yieldeve në tregun sekondar të borxhit, pasqyron zhvillimet në tregjet financiare në vend dhe në botë, presionet inflacioniste përtej objektivit dhe nevojës së qeverisë për huamarrje në tregun e brendshëm.
Në vazhdim gjatë këtij viti, Banka ka njoftuar se normalizimi i politikës monetare mund të vazhdojë edhe nëpërmjet rritjes graduale të normave të interesit. Banka e Shqipërisë ka preferuar të marrë më shumë kohë për të ndërhyrë, duke ndjekur linjën e Bankës Qendrore Europiane.
Rritja e normave të interesit do të sjellë gradualisht mundësi për kthime më të larta nominale nga investimi, në kushtet kur nivelet në rritje të inflacionit po ndikojnë në kthime më të ulëta reale nga instrumentet e investimit financiar të mëhershme. Rritja e normave të interesit do të mundësojë kthime më të larta nga kursimet, por nga ana tjetër do ta bëjë më shtrenjtë huamarrjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




