Një ndalim i Bashkimit Europian për importet e naftës ruse do të kishte një efekt të thellë në tregun global të naftës bruto dhe do të godiste më rëndë kontinentin, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Ky është një vendim që do të godiste të gjithë,” u tha Peskov gazetarëve të hënën(21 mars). “Amerikanët nuk do të humbnin shumë dhe do të ndihen shumë më mirë se evropianët. Evropianët do ta kishin të vështirë.”
Deklarata e Kremlinit vjen pasi disa vende të BE-së po bëjnë presion për një raund të pestë të sanksioneve ndaj Rusisë si hakmarrje për pushtimin e saj në Ukrainë. Përfshirja e një ndalimi për blerjen e naftës ruse në një valë të re kufizimesh kundërshtohet nga disa vende europiane.
Nëse një ndalim miratohet, BE-ja, konsumatori i vetëm më i madh i naftës bruto dhe karburantit nga Rusia, do të ndjekë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe. Në mungesë të një ndalimi zyrtar në mbarë Europën, blerësit tradicionalë të naftës së papërpunuar dhe produkteve të naftës ruse ishin të kujdesshëm apo edhe hezitues për të marrë ngarkesat e vendit. I ashtuquajturi vetësanksionim ka kontribuar në paqëndrueshmëri më të lartë në çmimet e naftës së papërpunuar.
Çdo masë që synon naftën ruse do të varet kryesisht nga Gjermania, e cila deri më tani ka qenë burimi kryesor i rezistencës ndaj zgjerimit të fushës së sanksioneve të BE-së dhe masave të tjera kufizuese ndaj sektorit të energjisë.
Zëdhënësi kryesor i kancelarit Olaf Scholz, Steffen Hebestreit, përsëriti qëndrimin e qeverisë se, për momentin, Gjermania mbështetet në importet e naftës nga Rusia dhe refuzon një embargo.
Berlini nuk është i vetmi që kundërshton lëvizjet për të kufizuar flukset e energjisë ruse, me Hungarinë gjithashtu në mesin e atyre kundër. “Sanksionimi i energjisë është padyshim një vijë e kuqe për ne”, tha Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto në një konferencë në internet. “Ne nuk do të mbështesim sanksionet që rrezikojnë sigurinë energjetike të Hungarisë.”
Çdo vendim duhet të merret unanimisht nga të 27 shtetet anëtare. Udhëheqësit europianë do takohen në Bruksel të enjten(24 mars) ku ka të ngjarë të diskutohet ideja e një embargoje të naftës.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell u tha gazetarëve se ministrat e jashtëm të bllokut do të diskutojnë të hënën se çfarë lloj sanksionesh shtesë mund të vendosen, përfshirë ato që lidhen me energjinë. I pyetur nëse BE është gati të sanksionojë naftën ruse, ai tha: “Ministrat do të diskutojnë për këtë”.
“Mendoj se është e pashmangshme të fillojmë të flasim për sektorin energjetik dhe patjetër që mund të flasim për naftën, sepse është e ardhura më e madhe për buxhetin rus dhe gjithashtu është mjaft e zëvendësueshme për shkak të infrastrukturës sonë dhe furnizuesve të shumtë”, tha ministri i Jashtëm lituanez. tha Gabrielius Landsbergis në Bruksel.
Nga një mesatare ditore prej 4.39 milionë fuçi nafte që Rusia eksportonte te klientët e saj kryesorë të huaj nga 1 deri më 15 mars, dërgesat nëpërmjet tubacioneve dhe porteve në perëndim në Detin e Zi dhe Baltik, të cilat tradicionalisht u shërbejnë klientëve europianë, arritën në rreth 2.7 milionë fuçi në ditë. sipas të dhënave të industrisë ruse të naftës.
Burimi: Bloomberg/ Përshtati: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



