Treg

Yield-et e Bonove të Thesarit dhanë sinjale rritjeje

Yield-i mesatar i ponderuar i Bonove me maturim 12 mujor, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, arriti në 1.79%, nga 1.62% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Nga 9.7 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim, në ankand u paraqitën gjithsej kërkesa për rreth 8.9 miliardë lekë. Ky ishte ankandi i dytë radhazi që qeveria nuk arriti plotësonte të gjithë shumën e kërkuar, pas ankandit të bonove 3-mujore të javës së kaluar.

Që nga fillimi i 2021-shit, Banka e Shqipërisë ka rikthyer formën e mëparshme të ankandeve, me çmim të fiksuar. Ky vendim u mor nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në nëntor të vitit të kaluar dhe përfaqëson hapin e parë në drejtim të tërheqjes graduale të stimulit monetar.

 Ndërkohë, që nga marsi 2020, deri në fundin e vitit 2021 ishte aplikuar forma e ankandit me çmim uniform, që iu garantonte bankave furnizim të pakufizuar me likuiditet. Vendimmarrja erdhi pas sinjaleve të forta të inflacionit që u shfaqën në ekonominë europiane në gjysmën e dytë të vitit të kaluar dhe që filluan të reflektoheshin edhe në nivelet e inflacionit në Shqipëri. Ky ndryshim ka ndikuar në uljen e ndjeshme të huasë së dhënë nga Banka e Shqipërisë për bankat tregtare, nëpërmjet REPO-ve. Vlera e huasë në fund të shkurtit zbriti në 28.3 miliardë lekë, në rënie për të tretin muaj radhazi dhe është njëkohësisht më e ulët e këtij treguesi që prej shkurtit 2020, para fillimit të pandemisë.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do të zhvillojë mbledhjen e radhës për vendimmarrjen e politikës monetare javën e ardhshme.

Për shkak të shkallës së lartë të varësisë nga ekonomia e Eurozonës, opinioni mbizotërues mes ekspertëve është se Banka e Shqipërisë nuk do të ndërmarrë rritje të normave të interesit para se një hap të tillë ta hedhë Banka Qendrore Europiane (BQE). Javën e kaluar, BQE-ja vendosi t’i mbajë të pandryshuara normat e interesit, pavarësisht se inflacioni ka arritur nivelin prej 5.8%.

Në Shqipëri inflacioni zyrtar ka arritur deri në 3.9%, në nivele më të ulëta krahasuar me ekonominë e Eurozonës dhe me shumicën e ekonomive të rajonit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë