Ministrja e Energjisë Belinda Balluku në një deklaratë për mediat lidhur me planin e masave të ndërmarra nga Qeveria Shqiptare për menaxhimin e situatës për krizën energjitike, njoftoi se në bashkëpunim me ARRSH-në dhe OSHEE-në do të nisin ndërprerjen e ndriçimin në akset kombëtare për të kursyer energji.
“Aksi Tiranë-Durrës, Bypassi i Durrësit, Plepat Kavajë-Rrogozhinë, Qafa e Kasharit-Rinas, Lin-Pogradec, Bypassi-Shkodër, Korçë-Ersekë.
Gjithashtu do të ketë ndërprerje edhe në akset kombëtare të ndriçuara në degëzim siç janë Bypassi i Fierit me hyrjet-daljet e tij,Lezhë-Shëngjin në degëzime dhe Shkodër-Hani i Hotit në degëzimet e tij.
Sigurisht nuk do të prekim disa pjesë të akseve rrugore që cënojnë sigurinë rrugore”, tha Balluku.
Nga ana tjetër ajo tha se do të kërkohet nga bashkitë që pas orës 00:00 të ndërpresin energjinë e pa nevojshme. Balluku theksoi se duhet të kursejmë energji, pasi çmimet e importit janë të larta dhe nuk duhet të futemi në situatën që të na ndërpritet shërbimi i energjisë gjatë periudhave të ndryshme të ditës.
“Në një situatë hidrike që pak a shumë është e tillë në të gjithë rajonin. Flasim për cikël të mbyllur, gazi dhe nafta janë me çmime të larta. Për këtë arsye do të na duhet të konsumojmë sa më pak energji, për të mos patur mungesë. E kemi përsëritur disa herë dhe ndoshta është argument që duhet ndarë. Qeveria ka vendosur të mbrojë abonentët familjarë dhe ato të biznesit të vogël, nuk do të ketë ndryshime. Duhet kuptuar që të gjithë duhet të kursejmë, ndodhemi përpara një fakti sepse sasitë janë të limituara. Për të mos u ndodhur përpara një situate që të ketë ndërprerje, ndaj të gjithë së bashku për të na dhënë mundësinë të ruajmë çmimin dhe pasur mundësinë të kursejmë. Bashkë do e kalojmë këtë krizë ashtu si dhe ato të tjera”, tha Balluku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



