Nga Anxhela Çelanji – Në ndihmë të popullit ukrainas janë angazhuar edhe mjekët shqiptarë. Më shumë se dhjetë mjekë, pjesë e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë, janë ofruar të shkojnë vullnetarisht në kampet e refugjatëve që kanë ikur nga lufta.
Një shembull konkret është mjeku Gani Zeka, pjesë e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë, që është mjek internist në Poloni, i cili përveçse me donacione në formë veshjesh dhe ushqimesh, po ndihmon edhe me aparate mjekësore.

Themeluesja dhe drejtuesja e Federatës, Aurora Dollenberg, ka treguar për Gazetasi.al se mjekët kanë vendosur të mos jetë indiferente ndaj situatës kritike të luftës në Ukrainë, për hir të viktimave të pafajshme dhe stafeve mjekësore që gjenden të vetëm atje.
Dollenberg ka treguar më tej se doktor Zeka, aktualisht bashkë me djalin e tij dhe mjekë të tjerë, janë organizuar për të dërguar një aparat si laparposkopie, i cili do të jetë shumë i nevojshëm për të bërë operacionet e urgjencës te të plagosurit e luftës.

Sipas Dollenberg, mjekët të cilët janë prezentë në kufi kanë konstatuar se qytetarët kanë nevojë për aparate mjekësore dhe mjete të ndihmës së shpejtë për të ndihmuar të plagosurit.
“Ne kemi vendosur si bord ndërkombëtar i federatës që të mbledhim fonde nga të gjitha filialet e federatës në 25 vende të Bashkimit Europian”, shton Dollenberg.
Më tej doktoresha shpjegon se përveç mjekëve që janë aktualisht në kufij për të ndihmuar qytetarët, edhe mjekë të tjerë nga vendet e Bashkimit Europian janë të gatshëm në çdo moment të shkojnë në kufi e të shërbejnë.
“Ne jemi të gatshëm në çdo moment që të shërbejmë për dy javë në mënyrë vullnetare në kampet e të arratisurve ku nevoja mjekësore dhe kryesisht psikologjike është shumë e lartë. Të gjitha tentativat e Federatës vijnë sepse të gjithë mjekët e kanë dëshirën e mirë dhe kompetencat mjekësorë për të vepruar në ndihmë të popullit Ukrainas”, shton Dollemberg.
Në datë pesë mars, u mbajt një konferencë e Federatës Mjekët Shqiptarë Evropë, në Kopenhagen të Danimarkës dhe motivi ishte “Lufta në Ukrainë”. Dollemberg tregoi se edhe gjatë konferencës është mbledhur një donacion i cili me anë të kryqit të kuq ndërkombëtar, i është dërguar kryqit të kuq të Ukrainës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



