Netëqëndrimet e turistëve në Shqipëri në njësitë akomoduese u rritën ndjeshëm në muajt e verës së vitit të shkuar, duke tejkaluar edhe nivelin e para pandemisë, ndryshe nga Europa, që pavarësisht rritjes, sërish nuk i arriti nivelet e para krizës.
Sipas të dhënave nga Eurostat, që nga qershori i vitit të kaluar, netëqëndrimet e turistëve janë rritur ndjeshëm, për të kulmuar në gusht, me gati 313 mijë netë, duke shënuar një nivel rekord.
Kjo shifër është 37% më e lartë se gushti i vitit të kaluar dhe 28% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2019, kur vendi shënoi dhe vitin më të mirë turistik, përpara se të goditej nga pandemia.
Lirimi i masave në krahasim me shtetet e tjera të Europës bëri që në Shqipëri të vinin shumë turistë nga Europa Lindore, apo dhe shtete të tjera.
Në total, për periudhën janar-shtator 2021, kur INSTAT raporton të dhënat, netëqëndrimet e turistëve arritën në 985 mijë netë, me një rritje prej 41% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2020-s.
Edhe në raport me janar-shtator 2019, netëqëndrimet janë rritur me 20%, duke tejkaluar në këtë mënyrë nivelin e para pandemisë.
Sipas Eurostat, në vendet e Bashkimit Europian, në vitin 2021, turizmi ishte ndër sektorët që nisën të rimëkëmbeshin nga pandemia COVID-19, pas lehtësimit të disa kufizimeve.
Në vitin 2021, numri i netëve të kaluara në njësitë e akomodimit turistik të BE-së arriti në 1.8 miliardë, duke u rritur me 27% krahasuar me vitin 2020, por me 37% më pak krahasuar me 2019-ën.
Kur shikohet evolucioni gjatë viteve të pandemisë, numri i netëve të kaluara në njësitë akomoduese në 2021 krahasuar me 2020 u rrit në shumicën e shteteve anëtare të BE-së me të dhëna të disponueshme. Rritjet më të mëdha u regjistruan në Greqi, Spanjë dhe Kroaci, me zgjerim mbi 70%.
Nga ana tjetër, Letonia, Sllovakia dhe Austria ishin shtetet anëtare që panë ulje, duke raportuar rënie prej më pak se -18%. Kjo tregon shenja rimëkëmbjeje në sektorin e turizmit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.