Shqipëria vuan së shumti nga informaliteti në punë i shprehur në forma të ndryshme.
Në 2021 objekt i kontrollit të Inspektoriatit të Punës kanë qenë 7039 subjekte në të cilat janë kontrolluar 184 mijë e 206 marrëdhënie punësimi dhe janë konstatuar 1092 punëmarrës informalë, totalisht të pasiguruar, megjithatë sigurisht që shifra është shumë më e lartë.
Zv. Inspektorja e ISHPSSH-së, Irida Qosja bën me dije për Gazetën “Si”, se politika që po ndiqet është e tillë për të çuar inspektimin në ato subjekte, që realisht e mbartin këtë problem.
I përhapur në sektorë të ndryshëm punësimi ky informalitet është i prekshëm në të gjithë sektorët, por vlen të përmendet se është më i përhapur në sektorë të shërbimit dhe sidomos ai që njihet si informalitet gri.
Ky lloj informaliteti sipas Qoses është tepër i vështirë për t’u raportuar dhe për çështje të tilla duhet të bashkërendohet puna e të gjithë institucioneve.
“Ndërkohë që flasim për informalitetin gri duhet të vërejmë se edhe në rastet kur ekziston një kontratë pune, kjo shpesh nuk zbatohet” shprehet ajo për Gazetën “Si”.
Qosja saktëson se informaliteti gri haset thuajse në çdo sektor, por fushat e tyre do të fokusohet fillimisht në sektorin e fasonerisë.
Ajo bën me dije se pikërisht për rritjen e ndërgjegjësimit Inspektoriati i Punës shumë shpejt do të fillojë një fushatë për kontrollin dhe ndërgjegjësimin e subjekteve fason, “duke qenë se këto subjekte punësojnë një kategori jo të vogël punëmarrësish, që punojnë në të njëjtin vend pune dhe janë kryesisht gra, që në shumë raste, për shkak edhe të arsimit të tyre kanë nevojë për informacion më të shtuar dhe në gjuhë më të thjeshtë për të drejtat dhe detyrimet në vendin e punës në mënyrë që marrëdhënia e punës të mirëfunksionojë dhe informaliteti gri të ulet.”
Shërbimet online, sektori më me risk
“Pjesë e objektivit të kontrollit të Inspektoriatit është edhe sektori më me risk, që janë shërbimet ‘delivery’, shpërndarësit e postës të shërbimeve online, që kanë marrë hov të madh për shkak të pandemisë dhe që po rezultojnë me risk jo vetëm për informalitetin, por edhe për aksidentet në punë.”
Përsa i përket informalitetit gri dhe luftës ndaj tij Qosja shprehet e bindur se çelësi qëndron te ndërgjegjësimi dhe për këtë ata do të ndërmarrin më tepër fushata dhe u bëjnë thirrje që tu bashkohen edhe organizatave të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e punësimit. Megjithatë ka edhe mënyra të tjera se si informaliteti mund të luftohet.
Punëtorët e huaj në Shqipëri
Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare për Aftësim dhe Punësim numërohen 3341 shtetas të huaj, të cilët punojnë në vendin tonë, prej të cilëve janë të pajisur me leje pune 2094 shtetas dhe vërtetim pune për punësim 1247 të tjerë.
“2021 çoi në hapje të tregut shqiptar ndaj punësimit të huaj. Nëse më parë në Shqipëri vinin dhe punësoheshin mjekë, ekspertë të ndryshëm, të cilët vinin sepse e gjenin Shqipërinë si të përshtatshme për profesionin e tyre, vitin e fundit një pjesë e mirë e tyre vijnë të organizuar dhe punësohen në sektorë si fasoneria apo në përpunimin e peshkut” – bën me dije zv.inspektorja Qose, e cila tregon se shtetasit e punësuar në Shqipëri gjatë kësaj periudhe vijnë së shumti nga vende, si: Bangdladeshi, Filipinet, Egjipit, India apo Siria.
Por a mund të flasim për punësim informal të këtyre të huajve dhe në ç’sektorë haset më tepër kjo problematikë?
Nëse iu referohemi të dhënave nga AKAP-i, në Shqipëri mund të marrin vërtetim për punësim- shtetas të BE, shtetas të zonës Shengen: Republika e Kosovës, të Republikës së Serbisë me përkatësi etnike shqiptare), shtetas nga SHBA, ndërsa leje pune mund të marrin të gjithë shtetasit që përjashtohen nga vërtetimi për punësim. Shtetasit e huaj që punojnë në Shqipëri ndodhen së shumti në Tiranë, 47 përqind e tyre, 13 përqind në Durrës, 11 përqind në Lezhë dhe 5 përqind në Vlorë.
Ku qëndron Shqipëria?
Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) përllogarit se Shqipëria ka punësimin në të zezë gati dyfish më të lartë se mesatarja europiane dhe një nga nivelet më të larta në rang europian.
Përsa i përket rajonit, Shqipëria numëron shifrat më të larta të punësimit informal pas Kosovës.
Këtë vit referuar fushatave të ndryshme të ndërmarrë në fushën e Drejtësisë Sociale në të gjithë botën tema është “Arritja e drejtësisë sociale përmes punësimit formal”.
Më shumë se 60 për qind e popullsisë së punësuar në botë, pra 2 miliardë gra, burra dhe të rinj, e fitojnë jetesën e tyre në ekonominë informale.
Pandemia e COVID-19 ka vënë në qendër të vëmendjes cenueshmërinë e punëtorëve në ekonominë informale. Punëtorët informalë, meqenëse shpesh u mungon çdo formë e mbrojtjes sociale ose përfitimeve të lidhura me punësimin, kanë dy herë më shumë gjasa të jenë të varfër në krahasim me punëtorët formal. Shumica e njerëzve hyjnë në ekonominë informale jo me zgjedhje, por për shkak të mungesës së mundësive në ekonominë formale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




