Ngjarje

Dita e pestë e protestës-“Nuk është vetëm nafta, janë edhe ushqimet. Çdo ditë në shesh deri sa të ulen çmimet”

Nga Anxhela Çelanji- “Mua më vjen turp, më vjen turp jo se protestoj, por që protestoj për bukë”!-i tha Gazetasi.al Elvira një e re në protestën për rritjen e çmimeve.
Protesta e qytetarëve këtë të dielë,kishte nxjerrë në përpara kryeministrisë të mëdhenj e të vegjël, të rinj, të vjetër, artistë, aktivistë, njerëz të papunë, intelektualë, mjekë e shumë të tjerë.
E sipas tyre kjo nuk do të ishte dita e fundit që do të protestohej, pasi ata bën thirrje se çdo ditë në orën 17:00 do të ishin përballë kryeministrisë.
E arsyeja ishte e njejtë si këto pesë ditë, rritja e çmimeve.

“Nuk është nafta jo! Është rritja e çdo ushqimi në supermarkete, qoftë dhe gjërat më të thjeshta. Paketa e ashtuquajtur sociale nuk është në ndihmën tonë por të tyre”,thotë Xheviti një burrë rreth të 50-tave, i cili ishte ndër qytetarët e parë që u gjend në shesh.

Njerëzit këtë të dielë e kishin lënë ditën e pushimit dhe po kërkonin të drejtat. Mes të rinjve kishte thirrje të ndryshme të kompozuara, të cilat i motivonin të gjithë.
“Do dalim në rrugë me qindra me mijëra po nuk ranë çmimet do bjerë qeveria”!- ishte një prej thirrjeve që u përqafua më shumë nga njerëzit.
Siç thanë qytetarët, ata nuk ishin aty vetëm për sot por për çdo gjë që është vjedhur në Shqipërinë e të vogël me zullume të mëdha.
Kjo protestë që numërohet në ditën e pestë, e të dielën e ditës së pushimit, e shëndërroi në të dielën e kërkesave.

Mes qytetarëve kishte dhe individë partiak, të cilët tek-tuk tentonin që kjo protestë të merrte një konotacion partiak, por qytetarët që kërkonin të drejtat e tyre nuk e lejuan.
Se ata nuk ishin aty për parti po siç e quajtën edhe vetë “për bukën e gojës së tyre e të fëmijëve”.

“Në pandemi,qeveria, partitë e tjera e oligarkët na bënin thirrje çdo ditë që të mos trembeshim, sepse askush nuk do mbetej pa ngrënë, se as në Luftën e Dytë Botërore , Shqipëria nuk kishte mbetur pa bukë, se historia e vërtetonte këtë gjë. Por, sot e tutje historia do tregojë që në Luftën e Ukrainës, shqipëtarët nuk e lanë veten të vidheshin”,- i tha një mjeke Gazetasi.al e cila prej pesë ditësh nuk ishte në pavijon por në shesh.

Dje Bordi i Administrimit të Karburanteve vendosi që nafta do të jetë 217 lekë/litër, por kjo nuk ka bindur asnjë qytetar, pasi e konsiderojnë më çmim të lartë.
Ata nuk pranojnë të ndryshojnë qëndrimin e tyre dhe duan që të ulen çmimet, sepse nuk i përballojnë me rrogat e tyre. Një zgjidhje e mundshme që japin vetë qytetarët është rritja e rrogave sepse ata thonë që Shqipëria jonë e vogël e ka këtë mundësi.
“Ju jeni milionera, me vila e makina, s’paguaj më për ju, as unë dhe as familja”,! ishte një tjetër thirrje e qytetarëve.

Mes njerëzve të shumtë, kishte edhe invalidë e të pamumdur të cilët i thanë Gazetasi.al thanë se prej kohësh nuk mundeshin të paguanin shpenzimet jetike.
Elmazi së bashku me bashkëshorten e tij i thanë Gazetasi.al se me 1500 lekë që marrin nuk i del as për produktet higjenike që duhen e pak mbeten për ushqime.
“Po ku na del terezia të marrim një litër vaj 300 lekë”,tha Elmazi.

Duke fajësuar qeverinë, pas protestës së grave në vitin 2019, këto ditë ishin protestat më të mëdha që vendi ka parë, të cilat u shtrinë edhe më tej kryeqytetit. Edhe pse ka pasur shoqërime nga Policia e Shtetit, dhuna nuk perceptohej në këto ditë protestash kur mes të rriturve kishte edhe fëmijë.
Një grup i vogël prej tyre i thanë Gazetasi.al se kishin ardhur me prindërit, për të jetuar në një Shqipëri më të mirë.

Njëjtë si ditën e djeshme pati një pjesëmarrje të madhe të qytetarëve në protestë. Ata i thanë Gazetasi.al se ende pas 30 vjetësh, kërkojnë një “Shqipëri si gjithë Europa”, kur kanë mundësi të kenë një Shqipëri më mirë se gjithë bota.

“Po vendin tonë e ka bekuar Zoti e nuk e shkatërroj robi”,tha një burrë rreth të 40-tave i cili po ndiqte turmën e cila po ikte në drejtim të Sheshit “Skënderbej” për t’u kthyer të hënën përpara kryeministrisë në orën 17:00!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë