SHBA vendosi sanksione të menjëhershme mbi naftën dhe gazin rus dhe të gjitha importet e tjera të sektorit energjitik si pjesë e paketës më të ashpër të masave ndëshkuese ndaj Moskës për pushtimin e Ukrainës.
Vendimit të Uashingtonit, të cilit Britania e Madhe tha se do t’i bashkohet në fund të këtij viti, pritet që të ndikojë edhe më tej në rritjen e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare.
“Nafta ruse nuk do të pranohet më nëpër portet e Shteteve të Bashkuara dhe qytetarët amerikanë do t’i japin një tjetër goditje makinerisë luftarake të Putinit”, tha Presidenti i SHBA, Joe Biden, duke theksuar se vendimi u mor në konsultime të ngushta me aleatët.
Rusia është eksportuesi më i madh në botë i naftës bruto dhe nënprodukteve të tjera të saj, me rreth 7 milionë fuçi në ditë, ose 7 për qind e furnizimit total global. Në 2021, SHBA importoi nga Rusia 209 mijë fuçi naftë bruto dhe 500 mijë fuçi të tjera nënprodukte të saj, sipas të dhënave të kompanive importuese kryesore.
Shifrat përbëjnë rreth 3 për qind të naftës totale të importuar nga SHBA dhe vetëm 1 për qind të naftës totale bruto të kaluar përmes rafinerive amerikane. Për Rusinë, të dhënat paraqesin 3 për qind të eksporteve totale të saj.
Sipas ekspertëve, SHBA mund t’i përballojë këto sanksione me kosto minimale në tregun e brendshëm të saj, por për Europën sanksionet ndaj naftës dhe gazit rus kanë kosto të larta.
“Për shkak të konstruktit të tregjeve, SHBA mund t’i përballojë këto sanksione, por do të jetë shumë më e vështirë për Europën Kontinentale. Edhe për Rusinë, tregun amerikan nuk është i rëndësishëm. Por, kjo masë tregon se po diskutohen këto sanksione dhe nëse Europa do t’u bashkohet, kjo do të ishte një goditje e fortë për Rusinë”, thotë Cornelia Meyer nga “Meyer Resorces”.
Perspektiva e sanksioneve ndaj naftës dhe gazit rus rriti me 30 për qind çmimin e tyre në tregjet ndërkombëtare vitin e kaluar, ku një fuçi naftë shkoi në rreth 130 dollarë. Analistët dhe ekspertët e tregjeve paralajmërojnë se çmimi i një fuçie naftë mund të shkojë 160 deri në 200 dollarë, ndërsa vetë rusët thonë se në rastin e sanksioneve nga BE çmimi i një fuçie naftë mund të shkojë mbi 300 dollarë.
“Tregjet udhëhiqen nga lakmia dhe frika dhe aktualisht ka shumë frikë. Frika është se me këto sanksione, SHBA ka bërë 7 për qind të naftës toksike për tregjet globale dhe pyetja që ngrihet është se nga do të zëvendësohet kjo sasi. Kjo do të rrisë agresivitetin e kompanive amerikane te prodhuesit e tjerë të mëdhenj të naftës, e bashkë me të edhe çmimet”, thotë për Al Jazeera, Adam Pankratz, profesor ekonomie dhe biznesi në Universitetin British Columbia.
Ekspertë të tjerë parashikojnë që sanksionet të nxisin rritjen e prodhimit nga vetë kompanitë amerikane, por që gjithsesi nuk do të mund të shmangë rritjen e çmimit. Gjithsesi, paniku do të godasë më fort tregun europian dhe vendet në zhvillim, që do ta kenë më të vështirë që të sigurojnë sasinë e nevojshme të naftës për të furnizuar tregjet e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




