Njerez

Video/ Historia e familjes së shfarosur nga predha në Irpin, flet njeriu që bëri fotot dramatike

Gazeta Si – Shpërthimi ndodhi para kishës të dielën në orën nëntë të mëngjesit. Katër trupa në trotuar. Dy vëllezërit Aliosha 9-vjeç dhe Miketa 18-vjeç së bashku me nënën e tyre Tatiana 43-vjeçare. Jo shumë larg tyre, gjendej trupi i pajetë i një të riu, Anatolij, 27 vjeç.

Kështu në një sekondë, një familje e tërë u fshi nga një mortajë ruse. I pari që filmoi skenën është Andriy Dubchak, një fotograf ukrainas që bashkëpunon me gazetën “New York Times”.

Dhe është ai që thotë: “Po ecja nëpër rrugët e Irpinit, fshati i sulmuar nga rusët në veriperëndim të Kievit. Kishte refugjatë që përpiqeshin të arratiseshin. Unë bëja foto dhe filmoja. Pak para se të dëgjoja të shtëna automatiku, po lëvizja me kolegë të tjerë. Në një moment u bë e qartë se rusët nga larg kishin parë refugjatë që përpiqeshin të arratiseshin. Të shpërngulurit ishin me qindra: gra, fëmijë, të moshuar, të sëmurë që u ndihmuan nga vullnetarë. Më pas shpërtheu mortaja”.

Nga video e tij mund të shihet edhe shpërthimi. Rastësisht ka qenë duke filmuar dhe vetë ka mbetur i plagosur lehtë në kyçin e këmbës nga një cifël predhe.

Ka pluhur, copa predhash, një vullnetar është goditur po ashtu. Sapo pluhuri pastrohet, Andriy rifillon të filmojë skenën, rrotullon kamerën dhe atëherë dëgjon britma, thirrje për ndihmë. Trupat janë në asfalt.

“Dy vëllezërit vdiqën menjëherë. Kur vrapova drejt vendit, ata nuk po merrnin më frymë. Mamaja e tyre ishte pa ndjenja, por pulsi i saj rrihte ende. Ajo ndërroi jetë pak kohë më pas”.

Viktima mes viktimave. Sipas refugjatëve, rrugët e Irpinit dhe fshatit aty pranë, Bucha janë të përgjakura me kufoma të braktisura.

Civilët lëvizin ngadalë, të frikësuar nga shpërthimet, të frikësuar nga flakët, ecja mes mbeturinave me bagazhet në duar është e vështirë.

Shumë prej tyre kanë ikur nga zona të tjera, nuk i njohin rrugët, shpesh nuk dinë as ku të shkojnë për të arritur në zonat e mbrojtura të Kievit. “Rusët luajnë si macja me miun. Momentet e gjata të qetësisë pasohen nga sekonda zjarri”, – thonë dëshmitarët.

Andriy nuk mund të kuptonte se kush ishin të vdekurit në vend. Askush nuk i njihte dhe në kaos të gjithë po përpiqeshin të iknin.

Ai vazhdon: “Pamjet e viktimave i postova në rrjetet sociale lokale dhe pas disa orësh më kontaktoi kumbara e fëmijëve. Mësova se janë një familje nga Donjecku që kanë ardhur për të jetuar në Irpin në kohën e pushtimit rus në vitin 2014. Më pyeti se si vdiqën. Ajo donte të dinte nëse kishin vuajtur, po qante shumë. Të gjithë  kishin qëndruar të mbyllur në bunkerë. Tatiana dhe dy fëmijët e saj duhej t’i bashkoheshin asaj. Tani kumbara do të duhet të rimarrë trupat e gjetur në morgun qendror të Kievit, ku do të kryejë dhe funeralin. Një komunitet i të zhvendosurve nga Donjecku tani banon në Kiev”.

Fotoreporteri ka ngulitur imazhin e dy vëllezërve. Miketa kishte një fytyrë të përgjakur. Të dy ishin mbuluar nga gjaku, bën ftohtë dhe njerëzit lëvizin me rroba të ngrohta. Edhe i riu që ishte me ta vdiq shpejt, predha i kishte prerë arteriet inguinale.

Nga historitë e mbledhura, ka ende shumë të plagosur të braktisur në rrugët e fshatrave të prekur nga sulmet. Shumë vdesin nga të ftohtit, pa asnjë ndihmë. Nuk dihet nëse refugjatët po trajtohen nga rusët.

“Njerëzit bëjnë përpjekje të mëdha për t’i shpëtuar rusëve. Dhe askush nuk na thotë se trupat ruse ndihmojnë ose trajtojnë të plagosurit. Në rastin më të mirë ata i lënë njerëzit të shpëtojnë”, – thotë Andriy.

Mes refugjatëve, ka zëra se ushtarët rusë në Bucha janë me origjinë çeçene, të famshëm për mizorinë e tyre.

Një fakt që kontribuon në nxitjen e frikës. Ai vetë flet për ato dyzet minuta si një ferr të vërtetë.

“Pas mortajës, të shtënat vazhduan të dëgjoheshin. Pas kthimit, më është dashur të shtrihem në tokë të paktën shtatë herë dhe jam strehuar dy herë në shtëpitë e braktisura”.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë