Politike

Humbi 6 bashkitë, në 5 prej tyre renditet i treti, Basha: S’kam humbur asnjë betejë, do kryesoj reformimin e PD  

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha humbi thellë të gjashtë bashkitë, pesë nga të cilët ai u rendit i treti në një garë të hapur më së shumti me koalicionin “Shtëpia e Lirisë” e drejtuar nga Sali Berisha sesa me vetë PS-në.

I pyetur për këtë rezultat, Basha foli për “anomali të anomalisë”, “anormalitet të anomarlitetit”, “për blerje votash” dhe “përdorim të administratës”, për “braktisjë të elektoratit” të gjitha këto për të çuar në përgjigjen që ai dha “se nuk ka humbur deri më sot asnjë palë zgjedhje”      

“Së pari, dua që procesi të përfundojë dhe i bëj thirrje të gjithë numëruesve të vazhdojnë deri në fund procesin e numërimit. Procesi i 6 marsit ishte anomali e një anomalie. Anomalia e parë votimet moniste të qershorit, anomalia tjetër kryebashkiakët me të shkuar kriminale. Kur nuk ka asnjë reflektim për anomalitë, besoj se shumica dërrmuese e shqiptarëve e ka kuptuar nevojën për një reformë të thellë”

Basha tha se PD ka kallëzuar në SPAK tre bashki, Shkodrën, Dibrën dhe Rrogozhinën, si dhe një KZAZ në Vorë, për mospërmbushje të detyrave.

“...Nuk ka shqiptar që nuk e kupton që 6 marsi nuk është normalitet, por është anormalitet i një anormaliteti. Asnjë nuk ka ndryshuar nga 25 prilli, madje problemet janë thelluar. Me mospjesëmarrje të madhe, me numër rekord të ulët votuesish, ky është fakt tashmë që qytetarët e braktisën procesin zgjedhor, pasi nuk kishte asnjë garanci shtesë. Madje ikën dhe garancitë formale, ku PD ju mohuan komisionerët.

Aleanca e ‘non gratave’ kërcënoi, bashkë me bandat në Vorë, komisionerët vendas. Ne kemi dërguar në SPAK tre denoncime, për Shkodrën, Dibrën e Rrogozhinën, si dhe kemi kallëzuar KZAZ e Vorës për mospërmbushje të detyrave. Një pjesë e mospjesëmarrjes i takon opozitës, PD, na takon neve. Një reflektim të thellë sa i takon analizës sonë të brendshme, që ka nisur, nevojës për t’u shkëputur totalisht nga e shkuara, nevojës për të dëgjuar njerëzit”, u shpreh Basha.

“Ajo që unë kam për detyrë ajo që ka PD për detyrë është të lexojmë mirë çfarë do të thotë pjesëmarrja 30% dhe për PD. Ajo që unë lexoj sot ndërkohë që vijon numërimi, se do flasim përsëri, do kemi kohë s’ka nevojë të arrijmë në konkluzione të paqena dhe të parafabrikuara.

T’i shohim gjërat si janë. Shqiptarët e kanë humbur besimin tek demokracia dhe te vota ka kohë që ne e kemi konstatuar këtë problem ka kohë që e luftojmë këtë betejë”, vijoi ai.

Dy janë drejtimet kryesore, sipas tij, ku PD do të ecë.

“Drejtimi i parë ajo që kemi nisur një reformë zgjedhore që t’i ofrojë shqiptarëve politikanë të zgjedhur nga vota e tyre që u shërbejnë atyre dhe që përgjigjen para tyre.

Reflektimi i dytë një reflektim i brendshëm që PD të jetë hapësira ku shqiptarët të thonë mendimin e tyre të gjejnë veten e zgjidhja të jetë forca politike që përmes një sistemi zgjedhor të lirë e të ndershëm t’i kthejë zgjidhjet në realitet”.

Basha komentoi dhe rezultatin e PD në Shkodër ku kandidati Bardh Spahia i “Shtëpisë së Lirisë” kryeson. Edhe për atë rezultat ku kandidati i tij ka një përqindje zhgënjyese, Basha e gjeti përgjigjen.  

“Në Shkodër 30% mund të jenë administrata qendrore dhe lokale e Shkodrës që kanë votuar, ku janë qytetarët?”.

“Jam i gatshëm të jap gjithçka për të vazhduar e për të udhëhequr reformimin e Partisë Demokratike. PD nuk është pronë personale. Propagandës dua të them që nuk kam humbur asnjë garë në jetën time. Sot nuk po flasim për mua. Trekëndëshi i Bermudës gjithçka e ka për fatin e tyre personal. Kushdo që më kërkon të braktisë betejën time, për përshpejtimin e reformimit të PD-së dhe reformës zgjedhore, do të zhgënjehet” tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë