Biznes

Rritet Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, nga materialet e para dhe transporti

Indeksi i Kushtimit në Ndërtim është raportuar në rritje në tremujorin e fundit të 2021-shit dhe kjo për shkak të rritjes së shpenzimeve të transportit. 3.1% është rritja e Indeksit në raport vjetor me 2020-n dhe 1% nga tremujori paraardhës i 2021-shit.

Sipas Instat, nga grupet që ndikojnë në këtë rritje më shumë ndikim ka pasur transporti me 4.5% nga periudha e njëjtë 2020 dhe me 1.6% nga tremujori paraardhës.

Indeksi i Kushtimit në Ndërtim rezultoi me rritje 3.1% në tremujorin e katërt 2021, në krahasim me të njëjtën periudhë 2020. Shpenzimet materiale zënë gjithashtu një ndikim të madh, prej 4.1%, drejtuar nga materialet e ndërtimit me 4.1% dhe materiale elektrike e komunikimi me 3.6%, nga 2020-a në 2021-shin.

Nga tremujori i tretë tek i katërti, rritja e shpenzimeve për materiale ishte 1.3%.

Sektori i ndërtimit ka qenë ndër të vetmit që pësuan rritje edhe gjatë pandemisë, sepse aktiviteti i tyre nuk pati pengesa. Rritja e materialeve ndërtuese apo edhe grupeve të tjera të Indeksit, rrisin koston fillestare të ndërtimit dhe atë fundore që pasqyrohet në tregun imobiliar. Ndërkohë, sipas indeksit të besimit të Bankës së Shqipërisë, sektori i ndërtimit ishte më optimisti për të ardhmen dhe kontratat porositëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë