Treg

AMF: 250 mln lekë kompensimi për aksidentet rrugore të shkaktuara nga mjete të pasiguruara

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare miratoi në mbledhjen e datës 28 shkurt Fondin e Kompensimit për vitin 2022, në masën e 250 milionë lekëve.

Fondi i Kompensimit përfshin trajtimin e rasteve për aksidentet e shkaktuara nga mjetet e pasiguruara ose të paidentifikuara. Sipas ligjit të ri, i cili hyri në fuqi në korrik 2021, palës së dëmtuar në një aksident të shkaktuar nga një mjet i papajisur me siguracion, ose që largohet nga vendngjarja, i lind e drejta t’ia kërkojë dëmshpërblimin shoqërisë së tij të sigurimit, pa qenë nevoja që rasti të shkojë automatikisht te Byroja, duke u klasifikuar si Fond Kompensimi, ashtu siç ndodhte më përpara.

Pagesa e kësaj kategorie dëmesh nga shoqëritë e sigurimit ka ndikuar direkt në reduktimin e procedurave, si edhe uljen e kohës së procesimit dhe pagesës së dëmit për personat që kanë pësuar aksidente, sipas AMF-së.

Fondi i Kompensimit në mbyllje të vitit financiar 2021, rezultoi me një realizim në masën rreth 104% të detyrimit të fondit të këtij viti, duke e tejkaluar për herë të parë në 5 vitet e fundit detyrimin përkatës të vitit.

Bazuar në ndryshimet e fundit ligjore, “Byroja Shqiptare e Sigurimit duhet të mbajë një fond garancie me qëllim pagesën e dëmeve Fond Kompensimit, vlera e të cilit duhet të jetë të paktën 150 milionë lekë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë