Gazeta Si - Agjenti i Krimeve në Dibër, Arbër Sula, është lënë në burg nga gjykata pas vrasjen e Jurgen Dukës në 14 dhjetor 2021 pas një konflikti në një market në kryeqytet.
Sula ishte në arrati që prej mesit të dhjetorit të vitit të shkuar dhe është dorëzuar në komisariatin numër 2 në Tiranë pas dy muajsh arrati. Në ambientet e gjykatës, Sula iu ka kërkuar ndjesë familjarëve të Jurgen Dukës
“Ju kërkoj ndjesë familjarëve, djemtë që u konfliktova më kërcënuan dhe në atë moment isha në gjende të rënduar psikologjike”.
Gjatë kësaj kohe ai tregoi se ka qenë në Shqipëri, por para hetuesve ish-polici nuk ka zgjedhur të shpjegojë arsyet e vërteta të ngjarjes, ku ka theksuar se i gjithë konflikti ndodhi nga gjaknxehtësia dhe paniku.
“Nuk njihja asnjë prej tyre. Në market u zumë me viktimën dhe djemtë që e shoqëronin dhe kur ata më sulmuan më zuri paniku dhe qëllova. Jam larguar nga aty drejt vendlindjes dhe këto muaj kam qëndruar në Shqipëri në vende të ndryshme. Familjarët filluan të shqetësoheshin nga kontrollet e policisë dhe vendosa të vetëdorëzohem së bashku më armën e krimit", - ka thënë Sula.
Shkak i krimit u bë një zënkë për radhën në një supermarket në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë.
Në një moment, kur autori i dyshuar i ngjarjes ishte në radhë duke pritur që të paguante për çfarë kishte blerë, aty u ndodhën Jurgen Duka dhe një tjetër person, duke vendosur disa birra në banak me qëllim kalimin e tyre në kasë.
Në këtë moment ka reaguar autori i dyshuar i ngjarjes, i cili i ka kërkuar llogari Dukës dhe shokut të tij për veprimin e bërë.
Në këtë moment, nis edhe një përplasje e shkurtër fizike, pas të cilës autori i dyshuar i ngjarjes nxjerr armën nga çanta që mbante me vete duke qëlluar në drejtim të dy të rinjve. Për këtë vepër penale, polici rrezikon deri afro 20 vite burg pasi mbi të rëndojnë akuza të forta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.