Art dhe Kulture

Sean Penn në Ukrainë për të xhiruar një dokumentar mbi pushtimin rus

Aktori amerikan, Sean Penn ndodhet në Kiev për të xhiruar një dokumentar mbi pushtimin rus. Aktori fitues i Oskarit mbërriti në kryeqytetin ukrainas javën e kaluar për një punë, prodhuar nga Vice Studios me Vice World News dhe Endeavour Content, e cila filloi muaj më parë me qëllimin e dokumentimit të luftës ruso-ukrainase. Newsweek dha lajmin, sipas të cilit Penn është pra në mes të fushës së betejës: ai ishte i pranishëm gjatë një konference për shtyp të zyrtarëve ukrainas mbi krizën.

Në orët e fundit, ylli i Hollivudit pati një takim me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky: Penn thuhet se ndoqi konferencat e mediave në Kiev dhe u takua me zyrtarë të tjerë qeveritarë. “Sean Penn demonstron guximin që u mungon shumë të tjerëve, veçanërisht politikanëve perëndimorë”, shkroi zyra e presidentit në Facebook.

“Regjisori erdhi posaçërisht në Kiev për të regjistruar të gjitha ngjarjet që po ndodhin aktualisht në Ukrainë dhe për t’i treguar botës të vërtetën për pushtimin rus në vendin tonë. Sa më shumë njerëz të na mbështesin, aq më shpejt mund ta ndalojmë këtë luftë të tmerrshme”.

Dokumentari, për të cilin Sean Penn ka punuar prej muajsh, është një prodhim i Vice Studios me Vice World News dhe Endeavour Content. Aktori ishte tashmë në Ukrainë vitin e kaluar për t’u përgatitur për xhirimet me takime me forcat e armatosura lokale. Fotot e vizitës së nëntorit u publikuan në atë kohë nga shërbimi i shtypit i ushtrisë së Kievit. Këtë herë, që nga ardhja e tij javën e kaluar, aktori është takuar me anëtarë të zyrës së presidentit dhe zëvendëskryeministren Iryna Vereshchuk, gazetarë vendës dhe ushtarakë. Aktori dhe regjisori ka realizuar disa projekte mbi operacionet kundër luftës dhe projekte humanitare, duke përfshirë dokumentarin “Citizen Penn”, i cili fokusohet në përpjekjet e tij në përgjigje të tërmetit të vitit 2010 në Haiti.

Ai ka realizuar tashmë dokumentarë të diskutueshëm, si një intervistë me El Chapo, ndërsa ishte në arrati.

Ndërkohë, ka punuar në një film në Turqi në vitin 2018 për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggy.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë