Art dhe Kulture

Netflix, Sony, Warner Bros dhe Disney kundër Putinit: pezullohen shfaqjet e planifikuara në Rusi

Bota e kinemasë dhe platformat e transmetimit e kanë pezulluar Rusinë pas pushtimit të Ukrainës. E para që doli kundër ishte Disney, e cila, siç thuhet në deklaratën zyrtare, ka pezulluar të gjitha shfaqjet e kinemasë të planifikuara në Rusi, përfshirë atë të “Turning Red”, një film i animuar nga Pixar, i vendosur për 10 marsin që vjen. I njëjti fat edhe për filmin e shumëpritur “The Batman”, i cili do të mbërrinte në kinematë ruse më 3 mars, por shpërndarja e të cilit u ndalua nga Warner Bros. “Në dritën e krizës humanitare në Ukrainë, WarnerMedia ka pezulluar shfaqjen e filmit “The Batman” në Rusi, shkruan Hollywood Reporter. – Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën në zhvillim dhe shpresojmë për një zgjidhje të shpejtë dhe paqësore të kësaj tragjedie”.

Mobilizimi anti-Putin ka përfshirë edhe Sony, i cili ka shtyrë të gjithë filmat e planifikuar në Rusi, duke përfshirë filmin “Morbius” të Marvelit me Jared Leto. “Duke pasur parasysh veprimet e vazhdueshme ushtarake në Ukrainë, pasigurinë që rezulton dhe krizën humanitare që po ndodh në atë rajon, ne do të pezullojmë shfaqjet tona kinematografike të planifikuara në Rusi, duke përfshirë daljen e afërt të “Morbius”, – shpjegoi një zëdhënës i Sony. – Mendimet dhe lutjet tona janë me të gjithë ata që janë prekur dhe shpresojmë që kjo krizë të zgjidhet shpejt”.

Siç u përmend, edhe platformat e transmetimit kanë vendosur të mbyllin urat me Rusinë: Netflix në fakt ka njoftuar se nuk do të shtojë kanale ruse në shërbimin e tij, siç do të parashikonte një ligj i miratuar në dhjetor nga qeveria Putin, ndërsa Roku ka vendosur të heqë kanalin RT – rrjetin televiziv rus të kontrolluar nga shteti – nga paketa e tij europiane.

Marrë nga Corriere della Sera, përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë