Menaxhim

ERE nis procedurat për përcaktimin e çmimeve të blerjes së energjisë eolike, solare dhe nga mbetjet për 2022-shin

Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurat për përcaktimin e çmimeve të blerjes së energjisë nga impiantet e prodhimit të energjisë nga era, dielli dhe mbetjet për vitin 2022. Ky është çmimi me të cilin shteti shqiptar do të blejë energjinë nga prodhuesit .

Vendimi i ERE-s vjen pas mbylljes së procedurës për vitin 2021, ku për impiantet e diellit dhe atyre që prodhojnë energji nga mbetjet, nuk u përcaktua çmim. Ministria e Infrastukturës dhe Energjisë nuk kishte përfunduar procesin e vlerësimit të aplikimeve për teknologjitë fotovoltaike deri në 2 MW, ndërsa për prodhimin e energjisë nga mbetjet nuk pati asnjë aplikim të ri. Për këto arsye, ERE konstatoi se në mungesë të kostove konkrete të investimit për vitin 2021, përcaktimi i çmimit nuk gjente zbatim.

Sipas të dhënave zyrtare, që MIE ka dërguar pranë Entit Rregullator të Energjisë, deri në datën 25 janar 2022 janë lëshuar 16 Miratime Paraprake për ndërtimin e kapaciteteve gjeneruese të energjisë elektrike fotovoltaike me kapacitet 2 MW secila, ndërsa ka pranuar shqyrtimin e 8 aplikimeve me kapacitet me nga 2 MW, të cilat janë në fazë vlerësimi. Gjithashtu, janë dhënë 7 Miratime Paraprake për ndërtimin e kapaciteteve gjeneruese të energjisë elektrike eolike, prej të cilave 5 Miratime Paraprake me kapacitet prodhues me nga 3 MW, 2 Miratime Paraprake me kapacitet prodhues 2 MW dhe 1 Miratim Përfundimtar me kapacitet të instaluar 2 MW.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë