Art dhe Kulture

Ndahen çmimet kombëtare ‘At Zef Pllumi’, shkrimtarët Stefan Çapaliku, Ndue Dedaj dhe Eugjen Merlika shpallen fitues

Në edicionin e gjashtë të çmimeve kombëtare letrare “At Zef Pllumi” fitues janë shpallur shkrimtarët Stefan Çapaliku, Ndue Dedaj dhe Eugjen Merlika. Juria ka marrë në shqyrtim prurjet letrare të këtij viti, duke përzgjedhur këto tri autorë.

Stefan Çapaliku në prozë, Ndue Dedaj në publicistikë dhe Eugjen Merlika në memorialistikë janë fituesit e edicionit të 6-të të çmimeve letrare mbarëkombëtare “At Zef Pllumi”.

Çapaliku u vlerësua për romanin “Mbyllur për pushime", Dedaj për librin e fundit me ese dhe shkrime kulturologjike "Nusja mbi kalin e vdekjes" dhe Eugjen Merlika për librin "Ravgime në shtigjet e historisë".

“Çmimi nuk e ndryshon cilësinë e veprës, vepra është ajo që është me ose pa çmim”, u shpreh shkrimtari dhe dramaturgu Çapaliku.

“Faleminderit Bashkisë së Lezhës, kryetarit z.Ndreu, jurisë dhe emrit të ndritur të At Zef Pllumit që ka tepruar bujaria e mirësia edhe për ne...”, u shpreh shkrimtari Ndue Dedaj.

Ndarja e çmimeve "At Zef Pllumi"

I kthyer në traditë, ky event letrar u organizua me mbështetjen e Bashkisë Lezhë.

Nga 13 krijimet e paraqitura, botimet më të mira në prozë, publicistikë dhe memorialistikë u përzgjodhën nga juria me kryetar shkrimtarin Preç Zogaj dhe anëtarë, studiuesi Behar Gjoka dhe botuesi Frano Kulli.

“Padër At Zef Pllumi është aset i memories kombëtare, personazh në panteonin e vlerave të kombit”, u shpreh botuesi Frano Kulli.

“Çmimi At Zef Pllumi është një mënyrë një mjet që e mban të pastër këtë trashëgimi që e përcjell brezave me shndritjen që ka në thelbin e vet që nuk e lejon të zërë ndryshk”, tha Preç Zogaj.

Juria ndau dhe çmimin e nderit pas vdekjes për Kurt Kolën me librin “Tranzicioni neokomunist në Shqipëri”.

Bashkia e Lezhës e riktheu çmimin letrar “At Zef Pllumi” në vitin 2020 pas një shkëputjeje 4-vjeçare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë