SHBA dhe BE ranë dakord pasditen e të shtunës për të ashpërsuar sanksionet ndaj Rusisë, përfshirë këtu edhe përjashtimin e saj nga sistemi ndërkombëtar i transfertave ndërkombëtare bankare, njohur si SWIFT.
Perëndimi ka rënë dakord që të përjashtojë nga ky sistem pjesën më të madhe të bankave dhe institucioneve financiare ruse, ndërsa lista konkrete e atyre që do të ndalohen pritet që të publikohet në fillim të javës që vjen.
Sanksionet do të pengojnë bankën qendrore ruse që të përdorë rezervat e saj ndërkombëtare për të mbështetur monedhën vendase që prej nisjes së konfliktit është në pikiatë zhvlerësimi. Sergei Aleksashenko, një ish-zëvendëskryetar i bankës, thotë se lëvizjet e fundit sjellin telashe të mëdha për të ardhmen e rublës.
“Kjo do të thotë se do të ketë një katastrofë në tregun rus të monedhës të hënën”, i tha ai Reuters. Ai shpjegoi edhe se cila do të jetë përgjigja e Kremlinit ndaj kësaj mase.
“Unë mendoj se ata do të ndalojnë tregtimin e monedhave dhe më pas kursi i këmbimit do të fiksohet në një nivel artificial, ashtu si në kohën sovjetike”, deklaroi eksperti rus.
Përjashtimi i disa bankave ruse nga sistemi SWIFT i përdorur për transaksione me vlerë triliona dollarë do të godasë rëndë ekonominë dhe sipas fjalëve të Shtëpisë së Bardhë, do të kthejë Rusinë në epokën sovjetike të pagesave.
Deri më tani, vetëm një vend është përjashtuar nga ky sistem dhe ai është Irani. Fill pas shkëputjes, Republika Islamike humbi menjëherë 30 për qind të volumit të tregtisë së jashtme.
Zgjedhja e bankave ruse që do të ndalohen do të bëhet me kujdes për të siguruar që sanksionet të kenë ndikimin maksimal mbi Rusinë dhe minimal mbi Europën, që ka lidhje të forta tregtare, sidomos në fushën e energjisë me Moskën.
Megjithatë, Europa do të vazhdojë të të bëjë biznes në fushën e energjisë, ku kompanitë e BE do të jenë në gjendje që të vazhdojnë të mbledhin faturat e prapambetura përmes SËIFT, si dhe të blejnë energji ruse.
Rusia ka ngritur një fond në valutë të huaj, që përllogaritet në rreth 650 mld dollarë për të mbrojtur bankat e saj, por kjo masë e re do të ulë ndjeshëm rezervat e disponueshme. Ndikimi i këtyre masave mund të marrë pak kohë, por ato shprehin një qëllim të menjëhershëm nga vendet perëndimore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




