Gazeta Si – Dy të rinj ukrainas të moshës 21 dhe 24 vjeç, Yaryna Arieva dhe i fejuari i saj Sviatoslav Fursin, do të martoheshin më 6 maj, por lufta ia prishi planet.
“Situata është e vështirë. Ne do të luftojmë për tokën tonë, – shpjegoi vajza. – Mund të vdisnim dhe thjesht donim të ishim bashkë para gjithë kësaj”.
Kështu, të enjten e 24 shkurtit, me zhurmën e sirenave të alarmit në sfond, dy të rinjtë përshpejtuan shkresat për bashkimin e tyre dhe më pas nxituan drejt manastirit të Shën Mëhillit në Kiev, ku u martuan, sipas CNN.






“Ishte shumë e frikshme”, – komentoi Arieva. Dy të rinjtë, të cilët u takuan në tetor 2019 gjatë një demonstrate në qendër të Kievit, kanë vendosur të martohen, sepse nuk janë të sigurt se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.
“Ne duhet të mbrojmë vendin tonë, njerëzit që duam dhe tokën ku jetojmë”, shtoi 21-vjeçarja.
Menjëherë pas ceremonisë fetare, të dy shkuan në Qendrën lokale të Mbrojtjes së Territorit për t’u regjistruar. Të premten, më 25 shkurt, Arieva postoi një imazh në Facebook, ku ajo dhe bashkëshorti i saj marrin armët, duke shkruar: “Fotografia e parë familjare pas dasmës. Në ditën e dytë të luftës. E vërteta do të mbizotërojë”.
Në CNN, e reja tha se shpreson që një ditë të jetë në gjendje të festojë dasmën.
“Ndoshta ata (rusët) do të largohen nga vendi ynë dhe ne do të kemi një shans për të festuar normalisht. Unë vetëm shpresoj që gjithçka të shkojë mirë dhe që vendi ynë të jetë i sigurt dhe i lumtur pa rusët”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



