Art dhe Kulture

Organizatorët e Eurovizionit: Rusia mund të marrë pjesë, nuk është një ngjarje politike

Organizatorët e Eurovision Song Contest kanë njoftuar se Rusia do të mund të marrë pjesë në garën muzikore edhe pas pushtimit të Ukrainës, një konflikt dimensionet e të cilit nuk dihen ende. Vendimi vjen pas një kërkese të rrjetit televiziv kombëtar ukrainas, “UA: PBC”, për të pezulluar Rusinë. “Eurovision Song Contest është një ngjarje kulturore dhe jopolitike”, tha EBU, Unioni Europian i Transmetuesve, i cili organizon konkursin muzikor që nga viti 1965. EBU është në çdo rast e shqetësuar për ngjarjet që po ndodhin në Ukrainë dhe do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën.

Ky është apeli për paqe i nisur dje në Instagram nga këngëtarja ukrainase Jamala, fituese e Eurovision Song Contest në vitin 2016.

Ndërsa bombat ruse bien në qytetet e Ukrainës, konkurrenti rus po përgatitet të performojë në Torino ku do të mbahet Eurovisioni nga 10 deri më 14 maj. Edhe pse organizatorët e kanë theksuar gjithmonë natyrën jopolitike të ngjarjes, eventi ishte i mbushur me polemika politike, veçanërisht midis Ukrainës dhe Rusisë dhe veçanërisht pas pushtimit të 2014-ës.

Jamala, këngëtarja ukrainase, fitoi në vitin 2016 pasi këndoi një këngë për dëbimin e tatarëve të Krimesë në vitin 1944 nga lideri i atëhershëm i Bashkimit Sovjetik, Iosif Stalin, dhe shumë vëzhgues e interpretuan këngën si një metaforë për të fajësuar aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë.

Këngëtarja ruse, Julia Samoylova, së cilës iu ndalua hyrja në Ukrainë në vitin 2017

Në vitin 2017, kur Eurovizioni u mbajt në Kiev, konkurrentja ruse, Julia Samoylova, u ndalua të hynte në Ukrainë.

Ndalimi erdhi pasi u bë e ditur se Samoylova kishte hyrë në Krime nëpërmjet Rusisë, një vendkalim kufitar i konsideruar i paligjshëm nga qeveria ukrainase. Televizioni rus u përgjigj duke mos transmetuar Eurovizionin.

Ukrainasja Jamala bëri një postim në Instagram për sulmin rus në vendin e saj të enjten, duke shkruar: “Nuk e di se si ishte e mundur, por ata bombarduan Ukrainën duke goditur njerëz paqësorë. Ju lutemi mbështesni Ukrainën. Ndaloni agresionin rus”. Rusia nuk ka njoftuar ende se kush do të performojë në Eurovision 2022, ndërsa grupi hip-hop Kalush Orchestra pritet për Ukrainën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë