Shuhet në moshën 80-vjeçare shkrimtari dhe akademiku, Luan Starova.
Lajmin e bëri të ditur Akademia e Shkencave, Kryesia e së cilës u përcolli ngushëllimet familjes dhe të afërmve.
E bija e shkrimtarit, Blerina Starova Zllatku shkruan se Luan Starova ka lënë kujtime të paharrueshme.
“Na le pa fjalë dhe me kujtime të paharrueshme babi. Me dhimbje të madhe ju njoftojmë se sot ndërroi jetë gjyshi, bashkëshorti dhe babai ynë, Luan Starova. Varrimi do të jetë nesër më 25. 02.2022 në varrezat në Butel, Shkup, ndërsa falja në Xhaminë e Çairit në Namazin e Xhumasë”, shkruan e bija.
Akademik, shkrimtar e gazetar, Starova e ndërtoi emrin e tij si krijues në Paris, ku është vlerësuar edhe me çmimin e lartë “Margaret Yourcenar”.

I shpërngulur që në moshën 2-vjeçare në Maqedoninë e Veriut, ku jetoi deri në vitet e fundit, ai u shkollua në gjuhën maqedonase. U diplomua për gjuhë e letërsi frënge në Fakultetin Filologjik në Shkup, ku do të punonte si pedagog i kësaj lënde. Doktoraturën do ta mbronte në Zagreb.
Starova konsiderohet nga studiuesit, si një nga njohësit më të mirë të veprës së Faik Konicës.




Ai botoi mbi 20 romane të rishkruar në shqip, të cilat i konsideronte si pasurinë e tij më të madhe, e si një mënyrë për t’u kthyer në atdheun e tij.
Starova ka botuar edhe dy vëllime me tregime, një me poezi, disa vëllime me ese dhe studime, ka përkthyer poetë të njohur francezë në shqip dhe maqedonisht.
Ai shkruante paralelisht shqip dhe maqedonisht. Pas botimit të katër romaneve të para në frëngjisht: tre nga shtëpia botuese “Fayard” në Paris (“Librat e Babait”, “Koha e dhive” dhe “Muzeu i ateizmit”) dhe një prej “Les Editions de l’Aube” (“Bregu i egzilit”) dhe pas jehonës që i bëri kritika, disa nga romanet e tij u përkthyen në 14 gjuhë të ndryshme. Renditet ndër shkrimtarët shqiptarë më të përkthyer në botë.
Është fitues i çmimit më të lartë francez për artet dhe letërsinë, që mban emrin e shkrimtares Margaret Yourcenar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



