Si sot, më 24 shkurt 1871, u lind në Manastir, atdhetarja që ndihmoi për organizimin e arsimimit të vajzave në shqip, Sevasti Dako Qiriazi.
Ishte gruaja e parë shqiptare që ndoqi studimet e larta në auditorin e “Robert College” në Stamboll. Në vitin 1891, pas përfundimit të studimeve, u kthye në Shqipëri dhe dha ndihmesë të madhe në ngritjen e shkollës së parë të vajzave, Korçë apo Shkolla shqipe e vashave në Korçë.
Së bashku me motrën e saj, veprimtaren po ashtu të përkushtuar për arsimimin e vajzave, Parashqevi Qiriazin, edukoi në këtë shkollë brezat e parë të të rejave.
Ajo ka hartuar dhe redaktuar një sërë tekstesh shkollore bashkë me të shoqin, arsimtarin atdhetar Kristo Dako.
Sevasti Qiriazi ka qenë pjesëmarrëse në të dyja kongreset e rëndësishme që hodhën themelet e alfabetit dhe arsimit shqiptar, në Kongresin e Manastirit (14 deri më 22 nëntor 1908) dhe atë të Elbasanit (2 deri në 8 shtator 1909). Në drejtim të çështjeve kombëtare, ajo do të bashkëpunonte edhe me kryeministrin e Pavarësisë, Ismail Qemalin, si edhe me grupet patriotike shqiptare që gjendeshin jashtë vendit.
Në cilësinë e kryetares së Partisë Kombëtare Shqiptare në SHBA, trumbetoi për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në ligjëratat e mbajtura në shumë forume ndërkombëtare. Përpjekjet e saj për zhvillimin e arsimit dhe emancipimin shoqëror të femrës shqiptare, vijuan edhe pas kthimit të saj në Shqipëri në vitin 1920, me hapjen e institutit femëror “Kyrias”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.