Treg

Nga 1 marsi nuk do të ketë abone

Pas paralajmërimit për ndërprerje të shërbimit të transportit urban nga data 1 mars operatorët njoftojnë edhe për mosshitjen e aboneve për autobusët e Tiranës.

Unioni i Transportit Publik nënvizon se nëse institucionet shtetërore nuk marrin në konsideratë plotësimin e kërkesave për heqjen e taksave të karburantit, shërbimi i transportit nga 1 Marsi do të ndërpritet në rang kombëtar.

“Në vijim të shkresave dërguar të gjitha institucioneve vendimmarrëse në lidhje me problematikat e transportit publik qytetas në nivel kombëtarë, që kanë të bëjnë me pamundësinë financiare të operimit normalisht, informojmë qytetarët se në mungesë të një ndihme reale nga Qeveria, janë të pamundur për të ofruar të gjitha shërbimet e këtij aktiviteti. Sa më sipër, për muajin Mars, nuk mund të ofrohet si shërbim me bileta të pajtimit mujor (ABONE), pasi aktiviteti që ne përfaqësojmë ndodhet në kolaps ekonomik. Mbetemi ende me shpresën e një zgjidhje të kësaj situate sipas premtimeve të bëra”, thuhet në njoftim.

Më herët Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas deklaroi se rritja e çmimit të naftës shtoi vështirësitë e operatorëve, dhe për të kompensuar humbjet është e domosdoshme miratimi i kërkesave të tyre fiskale që nga rimbursimi i TVSH-së në shitje, Heqja e akcizës të naftës 37 lekë/litër; Heqja e taksës së qarkullimit në karburant për subjektet e licencuara që ushtrojnë aktivitetin në transportin urban (qytetës) 27 lekë/litër, si dhe rimbursimin e çmimit të biletës për kategoritë (Invalidë pune, të verbër, paraplegjik, tetraplegjik, studentët) të cilët udhëtojnë falas.

Kreu i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj, disa ditë më parë tha për Gazetasi.al se nëse qeveria nuk do të merrte parasysh kërkesat e tyre, në Tiranë nuk do të ketë transport publik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë