Njerez

Kur fëmijët nuk flasin jashtë shtëpisë nga ndroja… Në Shqipëri, një problematikë në rritje

Gazeta Si – Mutizmi selektiv është një problematikë jo shumë e njohur në vendin tonë dhe pak prindër e dinë se ai fëmijë të cilin e trajtojnë si dembel, të ndrojtur apo nxënës të dobët, në fakt mund të ketë një çrregullim ankthi të quajtur mutizëm selektiv.

“Mutizmi selektiv është një dështim i vazhdueshëm për të folur në situata specifike sociale (për shembull në parashkollor ose shkollë), pavarësisht se flet rrjedhshëm në situata të njohura”, thotë Igresa Duka, logopede e cila shpjegon se kur fëmijët nuk janë në gjendje të flasin rreth njerëzve të caktuar ose në mjedise të caktuara, ata mund të kenë mutizëm selektiv (SM).

Duka tregon për Gazetasi.al se në vendin tonë është një problematikë në rritje pasi numri i fëmijëve me mutizëm selektiv është shtuar.

Ky çrregullim konstatohet para moshës së shkollës, zakonisht ne moshën 5 vjeçare dhe problemi bëhet i dukshëm në moment që fëmija fillon shkollën.

Igresa Duka, logopede

Përsa i përket shkakut, logopedia thotë se akoma nuk është gjetur një shkaktar i vetëm por si shkak kryesor janë situata traumatike apo stresuese me të cilat fëmija mund të jetë përballur.

“Në Shqipëri prindërit nuk i kushtojnë rëndësinë e duhur dhe e neglizhojnë këtë duke i etiketuar shpesh fëmijët si të ndrojtur, nxënës të dobët apo edhe dembel”, thotë Duka për Gazetasi.al.

Si mund të kuptojnë prindërit nëse fëmija i tyre ka mutizëm selektiv?

Fëmijët me mutizëm selektiv kanë problem të komunikojnë në ambiente jashtë shtëpisë në shumicën e rasteve apo në situata të caktuara në rrethe të ndryshme ku duhet të kenë ndërveprim social.

“Në shtëpi komunikojnë normal por në klasë apo ambiente të tjera nuk flasin asnjë fjalë”, thotë Duka e cila shton se këta fëmijë kanë të dëmtuar komunikimin joverbal dhe verbal.

Gjithashtu, janë të ndrojtur dhe krijojnë një izolim social, nuk kanë dëshirë të marrin pjesë ne ambiente me shumë persona, u ndodh që u ushtrohet presion për të folur etj.

Janë ndërgjegjësuar prindërit apo është shtuar si problematikë?

“Është shtuar si problematikë pasi ndikojnë situata të ndryshme stresuese dhe traumatike të cilat i shkaktojnë situatën ankthioze fëmijës”, thotë Duka e cila tregon se një ndër ato situata është edhe ndarja e prindërve.

Sipas logopedes, në Shqipëri nuk i kushtojnë rëndësinë e duhur pasi prindërit shpesh thonë se “fëmija në shtëpi flet dhe në shkollë nuk do sepse është i ndrojtur apo dembel dhe kjo bën që të diagnostikohen me vonesë”.

Ky çrregullim ndikon në zhvillimin e fëmijës, zhvillimin emocional, në komunikim dhe në marrëdhëniet sociale.

“Edhe pse kanë inteligjencë normale, nëse MS nuk trajtohet, kjo ndikon në zhvillimin e tyre duke i lënë pas sidomos në arritjet akademike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë