Nga Gazeta Si – … Dy djem shqiptarë të shkolluar mirë, por thellësisht të varfër e të mbytur në borxhe, do t’i kapë policia në flagrancë, duke tentuar të ikin jashtë shtetit në mënyrë ilegale. Shpresa e tyre e vetme për një jetë më të mirë shkatërrohet totalisht. Por, do të vijë dikush që do t’u ofrojë djemve një pakt me të cilin ata mund të dalin nga burgu dhe mund të përfitojnë dokumente në çdo shtet europian, vetëm nëse deklarojnë publikisht sikur janë homoseksualë…
Kjo është “komedia e zezë sterrë” siç e quan autori i dramës “Pak Pakt”, Ledian Gjeçi, që do të vihet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental, duke filluar nga 26 shkurti.
Autori i dramës, njëkohësisht edhe regjisori i shfaqjes, Ledian Gjeçi, shprehet për Gazetasi.al, se kjo vepër në thelb trajton dramën e ikjes së rinisë nga vendi i tyre për shkak të korrupsionit.
“Vepra trajton dramën e ikjes. Rinia çdo ditë braktis vendin për shkak të korrupsionit të gjithanshëm, i cili vret vazhdimisht shpresën, konkurrencën e ndershme dhe mundësitë”, shprehet Gjeçi për Gazetasi.al.

Ai shpjegon se e ka quajtur këtë dramë “komedi e zezë sterrë”, pikërisht sepse “nëpërmjet të qeshurës servirim të vërteta shumë të trishta edhe tragjike”.
Me këtë dramë, autori ngre pyetjen: “a duhet të na përzërë korrupsioni, apo duhet ta përzëmë ne atë”?
“Vepra në mënyrë tragji-komike sjell një fotografi të qartë të realitetit tonë shoqëror, duke servirur nevojën e menjëhershme për ndërgjegjësim”, shprehet më tej Gjeçi për Gazetasi.al.

Ndër të tjera, ai thotë se gjatë ndërtimit të veprës është punuar me kujdes që të mos cenohet asnjë grupim racor, gjinor apo orientim seksual.
“Sigurisht, kemi ruajtur ekuilibrin e konfliktit që lyp dramaturgjia me palët pro dhe kundër”.
Personazhet kryesorë në shfaqjen “Pak Pakt” janë dy djem që tentojnë të ikin nga vendi, Toma dhe Kristi, të cilët do të interpretohen nga aktorët Ermir Hoxhaj dhe Xhuliano Brisku.
Duke e cilësuar ikjen nga vendi të të rinjve për shkak të korrupsionit që mbizotëron në vend si një problematikë të thekshme të shoqërisë tonë, ai thotë se ky fenomen do të trajtohet në “Pak Pakt” si për ironi, në mënyrë komike dhe argëtuese, por edhe tragjike.
“Drama e ikjes nga vendi është një hemorragji që s’ka të ndalur”, vijon më tej ai.
Ndërsa u bën thirrje të rinjve që ta shohin këtë shfaqje, pasi është “një pasqyrë e jetës së çdo individi që jeton në Shqipëri”, ai përfundon duke thënë se “kjo shfaqje teatri do u flasë shqiptarëve shqip dhe qartë”.
Vepra “Pakt Pakt” e dramaturgut Ledian Gjeçi mori çmimin e parë në zhanrin dramaturgji nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për vitin 2021.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



