Dëmtimi i objektit prej druri, që shërben si biletari dhe pikë informacioni në hyrjen e kalasë së Lezhës është një akt vandal. Kështu shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti për dëmtimin e biletarisë, ndërsa dënon këtë akt që u bë në orët e para të mëngjesit të së dielës.
“Në një të diel kur familjarët zgjedhin të shkojnë me fëmijët e tyre në parqe e monumente kulture, u përballëm me një lajm sa indinjues.
Biletaria e Kalasë së Lezhës ishte dhunuar me gurë, të shkulur nga muret e Kalasë. Një dëmtim i rëndë i trashëgimisë sonë kulturore, një akt vandal, pas të cilit fshihet një arsye banale: një video në rrjetet sociale”, shkruan ministrja Margariti.
Ndërsa falënderon punonjësit e Parkut Arkeologjik të Lezhës dhe të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Shkodër, që raportuan ngjarjen, si dhe Policinë e Shtetit, ministrja u bën thirrje jo vetëm të rinjve të Lezhës, por gjithë Shqipërisë, të respektojnë dhe ruajnë trashëgiminë tonë kulturore, këtë pasuri që na kanë lënë në breza.


“Le t’i përdorim hapësirat dhe mundësitë që na jep teknologjia për të promovuar trashëgiminë dhe jo për ta rrënuar atë”, shkruan ndër të tjera ajo.
Në orët e para të mëngjesit të së dielës u evidentua nga punonjësi i parkut arkeologjik Lezhë dëmtimi i objektit prej druri, që shërben si biletari dhe pikë informacioni në hyrjen e kalasë së Lezhës.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër shprehej se nga evidentimi paraprak në terren, dëmtimi është kryer nga pjesa e sipërme e mureve nga të cilët janë hedhur gurë të madhësisë mesatare çka ka sjellë dëmtimin e mbulesës së drurit të biletarisë.
DRTK Shkodër apelon për të treguar kujdes të veçantë ndaj objekteve monument kulture dhe siteve arkeologjike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



